
Ka ardhur Shqipëria në luftë, fituam! Ish-koloneli rrëfen mes lotësh udhëtimin drejt UÇK-së!
Dritare.net
I ftuar në emisionin Shqip nga Dritan Hila në DritareTV, ish-koloneli Dilaver Goxhaj rrëfeu mes lotësh rrugëtimin e tij drejt Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përvojat dhe sfidat që përballoi, dhe përkushtimin e tij për lirinë e vendit.
“Më 7 mars, mbërrita bashkë me Hashim Thapin, nga Qafa e Thanës drejt Tetovës dhe më pas drejt Kosovës,” tha ai, duke përshkruar udhëtimin e gjatë. “Zbritëm në fshatin Strugës dhe më pas u morëm me makinë deri në Tetovë. Një major i policisë, shqiptar, ishte bashkë me Hashimin dhe Kadri Veselin. Nga Tetova, vazhduam drejt Kosovës dhe udhëtimi zgjati tre ditë. Atje më caktuan si ndihmësshef shtabi për Ushtrinë e Kosovës.”
Shtabi ku mbërriti drejtohej nga koloneli Bislim Zyrapi, komandant divizioni që kishte luftuar edhe në Bosnjë. Por rrugëtimi treditor i ish-kolonelit nuk ishte i lehtë. Ai rrëfeu: “Kur më hipën në fshatin Bukosh, më nxorën veç dhe më thanë që do iki në një vend tjetër. Më morën dhe më çuan në një shtëpi në Kaçanik. Pronari i shtëpisë më tha: 'Ik shpejt, se po të pret një xhip'. Vajta unë atje, xhipi kishte ikur.”
Tensioni arriti kulmin gjatë rrugës: “Makina u përplas dhe ra në një liqen sepse shoferi ishte pa gjumë; gjysma e saj ishte në ujë. Unë theva xhamin me një automatik dhe dola jashtë bashkë me shokun tim. Në atë moment doli nga makina një spiun. “U, spiuni!” – më tha shoku, më mori automatikun, edhe iku ta ndjekë nga mbrapa. Unë do nxirrja shoferin, kur më doli një spiun tjetër nga bagazhi. “Më ka arrestuar UÇK-ja për spiun.”, tha ai, kur e pyeta çfarë donte aty. E zgjidha atë sepse i kishte të lidhura duar e këmbë dhe bashkë shpëtuam dhe shoferin nga mbytja.”
Pas këtyre peripecive, kolonel Dilaveri u çua në kompaninë autonome që mbante shtabin në distancë dhe më pas në komandën operative të Kaçanikut. Aty, ai rrëfeu momentin më prekës: “Oficer, nga je? – më pyetën. 'Nga Struga' – u thashë. “Ah ç’na gënjyen. Pale, na thanë që do vijë një kolonel nga Shqipëria.”, thanë dy nga vajzat që po na shërbenin. “Jo, more, jo, jam nga Shqipëria.”, u thashë. Nuk më ka puthur nëna, siç më kanë puthur ato vajza. Ata Shqipërinë e kishin Perëndi.” Nga komanda operative më dërguan më pas në kompaninë autonome, ku na pritën dy ushtarë. Sa na panë, mbushën pushkët dhe nisën të qëllojnë në ajër. “Ka ardhur Shqipëria në luftë, e fituam Luftën!” – tha ushtari, duke treguar gëzimin dhe motivimin e shokëve të tij." Më pas, një xhip e çoi te shtabi i përgjithshëm pranë kolonelit Bislim Zyrapi, duke shënuar fillimin e një kapitulli të rëndësishëm në jetën e tij dhe angazhimin e pakursyer për lirinë e Kosovës.
Ky rrëfim i ish-kolonelit Goxhaj nuk është vetëm një udhëtim fizik, por një rrëfim i guximit, përkushtimit dhe sakrificës personale, që tregon qartë përmes detajeve dhe emocioneve të forta, sfidat që kaluan ata që luftuan për lirinë e Kosovës./K.C/dritare.net

















