Na ndiqni edhe në

Shqip

Dilaver Goxhaj: Si u futa në UÇK dhe njoha Thaçin e Veselin!

Dilaver Goxhaj: Si u futa në UÇK dhe njoha Thaçin e Veselin!

Në një rrëfim ekskluziv në emisionin Shqip nga Dritan Hila, ish-koloneli ushtarak, Dilaver Goxhaj, ka treguar hyrjen e tij në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), njohjen me udhëheqësit e saj dhe rolin e tij në Shtabin e Përgjithshëm gjatë luftës për çlirimin e Kosovës. Para këtij angazhimi, ai kishte botuar shkrime dhe materiale informative në gazetën Rilindja, duke mbështetur kështu kauzën e UÇK-së.

Fillimi i angazhimit

Goxhaj tregon se u angazhua në luftë pas ngjarjeve të Prekazit dhe qëndrimit të tij në Shqipëri:

“Unë jam angazhuar në luftën për Kosovën pas luftës që bëri familja Jashari në Prekaz. Në atë periudhë isha i liruar në Shqipëri dhe bëja shkrime për UÇK-në në gazetën Rilindja. Në tetor, më kontaktuan nga shtabi dhe më thanë se do të përfshihesha në planifikimin e veprimeve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për në Shqipëri.", tha ai.

Ky ishte fillimi i një angazhimi të drejtpërdrejtë në operacionet e UÇK-së, duke u futur gradualisht në strukturat e saj.

Takimi me Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin

Njohja me udhëheqësit politikë dhe ushtarakë ishte një moment vendimtar:

“Hashim Thaçi kishte ardhur në Shqipëri dhe më ftoi në takim te Don Bosko në Tiranë. Ishte janar. Thaçi më tha se do të kontriboja në organizimin e veprimeve të UÇK-së dhe konferencat ndërkombëtare,” rrëfeu Goxhaj.

Gjatë këtij takimi, u përcaktuan detyrat e tij dhe mënyra se si do të angazhohej në operacionet ushtarake.

Nisja nga Tirana, në Tetovë për në Kosovë dhe organizimi i shtabit

Më 7 mars 1999, Goxhaj u nis bashkë me Thaçin drejt Kosovës, ku gjatë rrugës u takua me shefin i informacionit sekret të UÇK-së, Kadri Veselin dhe oficerë të tjerë të UÇK-së:

“Nga Tetova vazhduam drejt Kosovës. Më caktuan si ndihmësshef të shtabit për të gjithë ushtarët e Kosovës. Shtabi ishte nën komandën e kolonelit Bislim Zyrapi, i cili kishte luftuar në Bosnjë deri në nivel komandant divizioni. Thaçi më kishte vënë një pseudonim, Shpëtim Golemi. Kështu më njohën të gjithë." tha ai.

Ai përshkroi si u organizuan operacionet:

“Filluam operacionet dhe u angazhova për të njohur zonat dhe për të bërë rekojnisione bashkë me trupat. Në fillim lufta ishte graduale dhe me skuadra të vogla, pastaj u zgjerua me kompani. Kadri Veseli ishte prezent vazhdimisht dhe raportonte për zhvillimet. Të gjithë antarët e shtabit ishin të angazhuar në planifikim dhe ekzekutim,” tha Goxhaj.

Struktura dhe funksionimi i Shtabit të Përgjithshëm

Goxhaj tregon se shtabi kishte një strukturë të qartë ushtarake dhe operacionale, duke respektuar rregullat ndërkombëtare të luftës:

“Fillimisht lufta ishte graduale dhe me skuadra të vogla, pastaj u zgjerua me kompani. Komunikimi ishte i organizuar me fakse, radio dhe telefonë satelitorë. Operacionet ishin të koordinuara dhe zhvilloheshin në të gjitha zonat operative të Kosovës. Kadri Veseli ishte pjesë e shtabit politik dhe merrte pjesë në procesin e planifikimit.
Në datën 20 mars filloi operacioni Potkoj. Raportova situatën dhe forcat që kishin kaluar ishin 124,000 trupa, ndërsa 2,000 vëzhgues ndërkombëtarë u përzunë nga Kosova.”, tha ai.

Ai shtoi se vendimet merreshin kolegjialisht dhe të gjitha aktivitetet protokolloheshin:

“Ne respektonim Konventën e Gjenevës dhe udhëzimet ligjore për luftën. Kishim uniforma të dallueshme, kapele dhe shenja për t’u njohur nga larg. Disiplina dhe struktura ushtarake ishin të pakompromis,” u shpreh Goxhaj.

Lidhja me NATO-n

Një nga detyrat kryesore të Goxhajt ishte koordinimi me NATO-n dhe informimi për operacionet e bombardimeve:

“Pas 4-5 orësh më thanë të mbaja lidhjen me NATO-n, sepse mbaja satelitorin dhe komunikimin me NATO-n. Filluan bombardimet më 24 mars. Sean Burns dhe personeli i tij ndërkombëtar erdhën në Kumanovë më 23 mars në orën 5 të mëngjesit dhe më dhanë udhëzime. Ishte një bashkëpunim i ngushtë, duke ndarë detaje për aviacionin, forcat dhe misionet, për të shmangur dëme të panevojshme,” tha Goxhaj./K.C/dritare.net