Goxhaj ngre alarmin: Eksploziv nga Ukraina kapet në kufirin me Kosovën
Dritare.net

Ish-ushtaraku i UÇK-së Dritan Goxhaj, i ftuar në emisionin Shqip nga Dritan Hila në DritareTV, ka denoncuar rrezikun e shtuar të armëve dhe eksplozivëve që përfundojnë në Ballkan përmes rrugëve të paligjshme.
Ai bëri të ditur se në kufirin mes Kosovës dhe Shqipërisë është kapur një sasi prej 30 kilogramësh eksploziv plastik C4 (Rodez), material që prodhohet zakonisht vetëm për forcat speciale në SHBA. Goxhaj paralajmëroi se ky eksploziv mund të përdoret për akte kriminale ose terroriste dhe se rruga e tij drejt Ballkanit lidhet me tregun e zi të armëve që ka përfshirë edhe pajisje të sofistikuara ushtarake.
Goxhaj tha se disa oficerë ukrainas, duke shfrytëzuar lidhje të vjetra dhe korrupsionin në vijën e frontit, kanë shitur armë dhe pajisje, përfshirë tanke dhe autoblinda, duke kontribuar kështu në rrjedhjen e armatimeve drejt tregut të zi. Ai paralajmëroi se pas përfundimit të luftës në Ukrainë, Evropa dhe Ballkani mund të përballen me rritje të konsiderueshme të armëve të sofistikuara në duart e kriminelëve.
Goxhaj theksoi se këto zhvillime paraqesin një kërcënim serioz për sigurinë publike dhe nënvizoi nevojën për kontrolle më të rrepta dhe bashkëpunim rajonal për parandalimin e shpërndarjes së armëve dhe eksplozivëve./K.C/dritare.net
