
Bashkëjetesa fetare në Shqipëri, në sytë e kryepeshkopit Anastas Janullatos!
Dritare.net
Kryepeshkopi Janullatos ka dhënë të vetmen intervistë televizive për gazetaren Rudina Xhunga në emisionin e saj Shqip. Përmes kësaj daljeje të parë dhe të fundit në një intervistë televizive, në 20 dhjetor të 2002, ai e bëri këtë intervistë të mbesë si një dëshmi historike. Më poshtë po ju sjellim një fragment të intervistës, kur kryepeshkopi flet për bashkëjetesën e shqiptarëve mes disa besimeve fetare.
Rudina Xhunga: Shqiptarët janë njerëz të lirë të besojnë, por aq sa janë të lirë, nuk janë edhe të lidhur me besimin. Ju si do mund ta bindni një njeri që nuk beson, të kthejë sytë te besimi?
Anastas Janullatos: Mendoj se, ndërsa qarkullon ideja se shumica e njerëzve në Shqipëri nuk besojnë, statistikat dhe studimet sociologjike të kohëve të fundit thonë të kundërtën. Javën e kaluar kishim një kongres lidhur me bashkëpunimin ndërkombëtar dhe ndërfetar në Ballkan. Nga analizat e bëra nga një pedagoge e shquar e sociologjisë rezultoi se një përqindje shumë e madhe, mbi 75%, besojnë. Vështirësia qëndron në brezin më të vjetër të intelektualëve që ka qenë më i ndikuar nga filozofitë e atëhershme. Në kohën e mëparshme ndodhte të më thoshin: “Unë jam ateist.” Pyetja që pasonte nga unë, që të bëjmë pak humor meqë ju pëlqen: “Çfarë ateisti je, krishterë apo mysliman?” Natyrisht ata qeshnin për të treguar se çfarë do të thoshte. Në AND-në e tyre mbartin një kulturë të tërë. Për saktësi nuk ka njerëz pa fe. Por thjesht ka njerëz që nuk i përkasin asnjë feje. Ndoshta shumë prej tyre kanë marrëdhënie më të ngushta me Perëndinë pa e ditur. Ndaj qëndrimi im nuk është për shumë fjalë dhe shumë teori, shume argumente, është një qëndrim komunikimi, respekti dhe dashurie për ta. Por nëse dëshirojnë të më pyesin, si dhe qysh, lidhur me besimin tim, me kënaqësi jam i gatshëm të shpjegoj, por jo nga katedra për t’ju bërë mësim. A e dini se besimi fetar është si jeta, përcillet. Nuk është diçka që kurdiset, si një gjë teknike që bëhet me buton. Është një gjë që rrezaton. Pra unë besoj se jetojmë bashkë, të gjithë së bashku. Njoh shumë njerëz që në fillim nguronin shumë dhe dalëngadalë zbuluan elementë tepër thelbësorë dhe brenda tyre ekzistojnë fara të besimit dhe të dëshirës së zjarrtë. Në fund të fundit çfarë është besimi? Është drejtimi për te pafundësia, është kjo hapje e mendjes që kapërcen kufijtë konkrete, pra që ekziston në zemrën e çdo njeriu. Tjetër gjë që nuk ka rastin ta kultivojë dhe ta zhvillojë. Ashtu sikur dhe truri ka mundësi të panumërta, por shumë njerëz nuk kishin mundësinë për t’i zhvilluar të gjitha. Edhe kompjuteri ka mundësi të pafundme, por shumë njerëz e përdorin si makinë shkrimi, nuk njohim mundësitë e tjera që ofron. Unë mendoj që shumë nga vëllezërit tanë të dashur nuk do t’i shihja si kundërshtarë, meqë nuk besojnë, por do t’i shihja më shumë respekt dhe dhembshuri, si njerëz që janë privuar nga diçka. Një tjetër përmasë dhe një tjetër përvojë që u është privuar./K.C/dritare.net

















