Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Kryepeshkopi Janullatos: Si e gjeta Shqipërinë në 1991-shin!

Kryepeshkopi Janullatos: Si e gjeta Shqipërinë në 1991-shin!

Kryepeshkopi Janullatos ka dhënë të vetme intervistë televizive për gazetaren Rudina Xhunga në emisionin e saj Shqip. Përmes kësaj daljeje të parë dhe të fundit në një intervistë televizive, në 20 dhjetor të 2002, ai e bëri këtë intervistë të mbesë si një dëshmi historike. Më poshtë po ju sjellim një fragment të intervistës, ku kryepeshkopi tregon si e gjeti Shqipërinë kur erdhi në 1991-shin.

Pjesë nga intervista!

Rudina Xhunga: Ju nuk e keni braktisur Shqipërinë për 11 vjet. I ndieni tani, i prekni, i shijoni frytet e kontributit tuaj?

Anastas Janullatos: Ka dy kapituj të këtij kontributi: Së pari, rimëkëmbja e Kishës Ortodokse dhe së dyti nismat që ndërmorëm për disa programe në aspektin social. Le të fillojmë nga e para. Në vitin 1991 këtu nuk ekzistonte asnjë strukturë ortodokse dhe shumë thoshin se ndoshta ishte fshirë Kisha Autoqefale e Shqipërisë. Ne mundem t’i krijonim përsëri këto struktura kishtare. Kisha të tjera si në Amerikë nuk njihen si kisha autoqefale. Ne mundëm të ringrihemi përsëri, të formojmë sinodin tonë, të krijojmë klerin e ri dhe të njihemi nga atë gjitha kishat e tjera, si kishë autoqefale. Në periudhën e parë, njerëzit që takova ishin priftërinj të moshuar, të sëmurë dhe të varfër. Menjëherë u përpoqëm të krijojmë një brez të ri klerikësh shqiptarë. Kam dorëzuar 124 qytetarët shqiptarë. Duhet t’i zgjidhnim, t’i arsimonim, t’u mbanim familjet gjatë studimeve për t’i përgatitur klerikë seriozë. Dorëzimin e parë e bëmë në Korçë në shesh sepse nuk kishim kishën tonë. Gëzohem që dorëzimi im i parë ishte i ati i Jani Trebickës, i cili ishte bashkëpunëtori im i ngushtë gjatë gjithë këtyre viteve. Një njeri i çmuar për shoqërinë shqiptare. Pastaj është puna me të rinjtë. Gjithnjë kam ushqyer një dashuri për të rinjtë, qëkur isha student dhe më vonë shkencëtar i ri dhe organizoja kampingje për të rinjtë. Këtë frymë e sollëm edhe këtu. Kemi tri kampingje; në Zvërnec, në Shën Vladimir dhe ne rrethin e Gjirokastrës. Për të ndihmuar brezin e ri të Shqipërisë, për të gjetur një horizont dhe një shpresë për të ardhmen. Në fushën e botimeve hapëm shtypshkronjë dhe krijuam një grup përkthyesish sepse kishte një mangësi të madhe në literaturë, nëpër sheshe apo në kisha të rrënuara. Këto vite ndërtuam nëpër sheshe 80 kisha të reja, jo kishëza të vogla. Po të keni shkuar në Korçë, në Durrës, në Sarandë apo ne Fier i keni parë që janë kisha katedrale të mëdha që kanë zbukuruar vendin. Nga monumentet e vjetra të kulturës kemi restauruar 70 të tilla, ndërsa riparuam 130 kisha të tjera. Po t’i mendosh të gjitha këto punë madhështore, përfytyrojeni sesa njerëz janë punësuar, që të gjithë nga Shqipëria. Sa njerëz punuan me një page dinjitoze për të mbajtur familjet e tyre. Përfundimisht jemi një nga investitorët më të mëdhenj që paguajmë rregullisht taksat dhe nuk nxjerrim asnjë lek jashtë Shqipërisë. E tërë përpjekja e rimëkëmbjes së kishës ishte një bekim i madh i Perëndisë. Koncepti që kultivuam për kishën, që unë kam thënë se nuk do të interesohemi vetëm për anëtarët e Kishës Ortodokse. Kisha Ortodokse nuk është një shoqatë e mbyllur, por jemi një komunitet i hapur eukaristik që përfaqësojmë të gjithë vëllezërit tanë që lëvizin pranë me respekt të thellë ndaj secilit, nuk pyesim ku beson apo nuk beson. Për ne ka rëndësi fakti që është një person njerëzor dhe është vëlla apo motër për ne. Çdo gjë që merrnim ndaj periudhave të vështira në vitet ‘92, ’94, ’96, ’97 e ndanim me të tjerët. Ndihmat e para që erdhën nga Greqia nuk shkuan në fshatrat ortodokse, por në veri, në fshatra katolikë. Çdo gjë që na vinte, ushqime, ilaçe apo veshmbathje i ndanim me të tjerët. Veç këtyre ndihmave kërkuam të bënim diçka për të ndërtuar infrastrukturën e vendit. Në fushën e shëndetit, arsimit, zhvillimit rural në fshatrat e harruar, në fushën e shëndetit social, në periudha krizash, siç ishin ngjarjet e Kosovës dhe gjithashtu në fushën e kulturës dhe mjedisit. Të gjitha këto e ndihmojnë vendin, e ndihmojnë infrastrukturën dhe i japin vendit shpresë dhe perspektivë. Nuk e di nëse keni vizituar qendrën diagnostike, është një nga qendrat shëndetësore më të rëndësishme në Shqipëri me 24 specialistë dhe një personel të kualifikuar. Ajo që bën dallimin është interesimi i thellë, dhembshuria dhe dashuria për çdo njeri. Gjithashtu kemi ngritur Institutin e Formimit Profesional në Tiranë, i pari i këtij lloji që kisha e Shqipërisë kishte frymëzimin për të hapur. Pas shkollës së mesme janë 4 semestra studimesh në degë të veçanta, kompjuter, administrim biznesi, ndihmës laborantë të mikrobiologjikës. Të gjitha këto janë ndihmesa thelbësore. Kurrë nuk pyetëm për besimin. Nga 6500 pacientë në muaj që vizitohen në qendrën diagnostike shumica e tyre sigurisht nuk janë ortodoksë. E njëjta gjë edhe për Institutin e Formimit Profesional. Të gjitha këto janë një kontribut i rëndësishëm për shoqërinë dhe për shtetin shqiptar dhe perspektivën e tyre drejt BE-së.

Rudina Xhunga: Ju folët për kontributin tuaj në kohë krizash. Për cilat kriza flisni?

Anastas Janullatos: Këto 10 vjet ka patur shumë periudha të vështira. Do të kufizohem vetëm në 2 prej tyre. E para në vitin 1997 kur të gjithë largoheshin sepse njerëzit ishin në konflikt dhe shumë kishin marrë kallashnikovët. Pikërisht atëherë kisha ortodokse ngriti zërin duke thënë: “Jo në armë, jo me gjak, duhet të ecim drejt pajtimit, të paqes. Mos shkatërroni institucionet arsimore dhe fetare.” Zëri ynë u dëgjua. Më pas sprova e madhe e vitit 1999 kur erdhën dallgët e të ikurve nga Kosova, ne ishim një kishë e varfër, nuk kishim mundësi për të bërë diçka vetë. Shumë kishin thënë që të rrinim mënjanë duke u lutur për të tjerët. Propozimi ynë ishte: “Jo! Do të ndihmojmë vëllezërit tanë që ndodhen para sprovave të mëdha!” U bëmë thirrje miqve tanë në Evropë e në Amerikë. Brenda dy javëve grumbulluam 12 milionë dollarë dhe hartuam një program bashkë me kishat e tjera të vendeve të Evropës dhe ndihmuam 33 mijë vëllezër që vuanin. Jo vetëm me para, me pako, por edhe me punë personale. U thamë studentëve të Akademisë Teologjike të ndërprisnin studimet dhe të ndihmonin nëpër kampingje. Kisha Ortodokse është kujdesur për 300 fëmijë të porsalindur nga Kosova. Kur shkonin studentët tanë për të ndihmuar nëpër kampingje një grua kosovare me kulturë i pyeti: “Kush jeni ju që vini e ndihmoni, luani me fëmijët tanë? Nga vini?” Një studente tha pak me ndrojtje; “Ne vijmë nga Kisha Ortodokse. Mos ndjeni ndonjë vështirësi?” Përgjigjja ishte: “Përkundrazi, ne në sytë tuaj shohim për herë të parë atë që quhet Kishë Ortodokse.” U krijua një marrëdhënie njerëzore me respekt reciprok dhe ruajmë edhe sot kontaktet me shumë nga ato familje që panë atë peripecinë dhe u kthyen në vendin e tyre. Besoj se në çdo moment krize, kisha në heshtje duhet t’u gjendet pranë njerëzve në nevojë./K.C/dritare.net