Na ndiqni edhe në

Shkruaj në Dritare

Si e humba babanë tim me demencë

Si e humba babanë tim me demencë

Nga Fatbardha Dega


Dua të falënderoj Rudina Xhungën për trajtimin me ndjeshmëritë temës së prindërve që vuajnë nga demenca, dhe fëmijëve të tyre që përballen me dhimbjen dhe përgjegjësinë e madhe që kjo sëmundje sjell.

Edhe unë jam një nga ata fëmijë.

Humba babain tim në mënyrën më të dhimbshme, një njeri i mirë, i urtë dhe i ditur, që në pleqërinë e tij të vonë u përball me demencën. I hutuar nga gjendja mendore, ai la banesën ku po qëndronte dhe në mes të acarit të dimrit, përpiqej të gjente apartamentin e tij të vjetër në katin e pestë të një pallati në Fier. Por, në vend që të arrinte në shtëpinë që kujtonte, ai u end nëpër rrugë dhe përfundoi i ngrirë në nje fshat te Lushnjes afer me qytetin e Beratit.

E vërteta është se babai im vdiq i vetëm, i humbur dhe i pambrojtur.

Dhe kjo nuk është thjesht një tragjedi personale – është një simptomë e një shoqërie që nuk është e përgatitur të përballet me plakjen, sëmundjet mendore, dhe mbështetjen e duhur për të moshuarit.

Prindërit tanë na rritën me dashuri dhe sakrificë. Kur ata preken nga sëmundje si demenca, nuk duhet të mbeten vetëm, as ata, as fëmijët (si vellai im qe njekohesisht kujdesej edhe per një fëmijë autistic se bashku me babin e semure nga demencia) që përpiqen me të gjitha forcat e mundshme e te pamundshme të kujdesen për ta.

E ndaj këtë rrëfim për të nderuar kujtimin e babait tim, por edhe për të mbështetur zërin e çdo biri e bije që përjeton këtë sfidë. Ne kemi nevojë për institucione të kujdesit, mbështetje psikologjike, dhe mbi të gjitha, për një ndërgjegjësim kolektiv që të mos lejojmë që tragjedi të tilla të përsëriten./dritare.net