Na ndiqni edhe në

Shkruaj në Dritare

Reflektim për të ardhmen në karantinë!

Reflektim për të ardhmen në karantinë!

Nga Najada Dane

Këto ditë të mbyllura në shtëpi më kanë lejuar të reflektoj mbi të ardhmen time. Do duket paksa e cekët, kur bota po përballet me jetë a vdekje, unë po shkruaj mbi të ardhmen. Por sikur mos të ketë të ardhme? Por sikur nesër mos te jemi më? Nëse do e lejoja që në mendjen time të mbizotëronin këto mendime do i hapja vetë derën depresionit. Duke menduar për të ardhmen kam arritur të krijoj një botë imagjinare ku unë kam jetën që dëshiroj. Është një lojë që të ndihmon të harrosh problemet e botës për disa minuta. Nëse mendimet negative kthehen, i bëj një pyetje vetes: Kur situata do normalizohet sa e lumtur do jesh që do i kthehesh punës? Për ata persona që do jenë të lumtur jam realisht e gëzuar. Janë të kompletuar. Personalisht nuk jam e lumtur nga jeta ime “profesionale”. Duke shkruar këtë fjali më kujtohet çfarë mamaja ime me thotë gjithmonë: “Je vetëm 20 vjeç, ke jetën përpara për të realizuar të gjitha ëndrrat e tua.” E vërtet është. Por pse mos të nisë që tani kërkimin për atë çfarë unë kam pasion. Për një punë që mund të zgjohem çdo ditë me dëshirë dhe jo për të gjetur gjithmonë një justifikim për të mos vajtur. Këtë vit mbaroj shkollën e lartë. Shumica më thonë të luftoj për një të ardhme jashtë shtetit. Në Shqipëri nuk ke të ardhme më thonë. Kam krijuar idenë që diploma do shërbejë vetëm si një mjet krenarie të cilën prindërit e mi do e përdorin në bisedat me komshinjtë. Unë nuk e dua këtë. Më vjen keq për veten kur e mendoj. Dua që një ditë të jem e lumtur me punën që kam, në vendin tim, afër familjes time. Duke thënë këto fjalë, dëgjoj të qeshurat e njerëzve të mposhtur nga sistemi. Ekonomia nuk është në favorin tim. Mik nuk kam që të më ndihmoj. E di si funksionon. Por unë qëndroj pozitive. Në këto ditë që koha është aleati im, po përpiqem që sado pak unë ta ndryshoj të ardhmen time. E ardhmja ndryshon nga gjëja më e vogël. Nga një video, nga një shkrim, nga një talent i fshehur. Nëse nuk guxoj dhe bëj një hap përpara atëherë do të ngelem skllav i frikës. Në fund të fundit nuk humbas asgjë./dritare.net