Ish-oficeri i Policisë: '97-ën në Shqipëri e bënë shërbimet e huaja!
Dritare.net

Ish-oficeri i Policisë, Skënder Doda ka deklaruar se ngjarjet e vitit 1997 në Shqipëri nuk ishin vetëm një zhvillim i brendshëm, por kanë përfshirë ndikime dhe ndërhyrje të shërbimeve të huaja. Në një intervistë për emisionin Dekalog me gazetarin Roland Qafoku në DritareTV, Doda tha se destabilizimi i vendit ka ardhur për shkak të interesave të jashtme dhe historikisht marrëdhëniet me fqinjët nuk kanë qenë gjithmonë të mira.
“Unë kam bindjen që janë dhe shërbimet e huaja. Ti jesh i sigurt që kanë dorë. Janë shërbime të huaja që kanë pasur interes që gjendja në Shqipëri të jetë e destabilizuar. Historikisht fqinjët nuk i kemi pasur mirë gjithmonë, Serbia, Greqia mund të ketë qenë edhe nuk është ndonjë hata, kjo është çështje interesash,” tha Doda.
Ai rrëfeu eksperiencën e tij në Shkodër gjatë vitit 1997, kur u thirr për të menaxhuar situatën kaotike, duke u përballur me mungesë kontrolli dhe tensione të mëdha në qytet.
“Isha oficer dhe më thërritën urgjent natën. Më thanë do shkosh në Shkodër sepse gjendja ishte kaotike. Situata ishte shumë e rëndë, kishte raste që polici linte kapelën dhe fshihej në klub. Unë u thashë qytetarëve se nuk kisha ardhur për të vrarë, por për të bërë detyrën dhe shkodranët janë shumë fisnikë, nëse di të sillesh me ta,” rrëfeu ish-oficeri.
Ai kujtoi gjithashtu tensionet pas plagosjes së Azem Hajdari dhe situata absurde që tregonin nivelin e kaosit, përfshirë incidente me targat e makinave që mund të sillnin rrezik për qytetarët.
“Kam qenë në menaxhimin e situatës, ishte një kohë shumë e vështirë. Kishte tensione të mëdha dhe çdo moment mund të përshkallëzohej. Një situatë ishte kur një person me armë kërcënoi qytetarët, ne reaguam menjëherë dhe shmangëm tragjedinë,” rrëfeu Doda.
Në fund, ish-oficeri nënvizoi se ngjarjet e vitit 1997 dhe menaxhimi i tyre janë pjesë e një historie komplekse dhe se shumë prej tyre ende presin analizë të plotë. Ai theksoi rëndësinë e profesionalizmit dhe bashkëpunimit midis policisë dhe qytetarëve në situata krize./dritare.net