Nga Bledi Filipi
Teksa lundroja në rrjet një "etimolog" serb, i ndjerë tashmë, -Jovan Ilić Deretić,¹
Ai sillte allosoj etiomash sa të bënte që të mos merresh më me etimologji por të rrish në qetësi. Këto teori të tij i ndjekin tashmë nxënësit e tij.
E gjithë Iliada dhe Odiseja flisnin serbisht, dhe me ta historia ka gabuar. Ata nuk janë të ardhur, por vendas. Zoti na ruajttë mendjen e kokës.
Kjo shkollë e tij, ka kaq kohë që shkruan e stërshkruan dhe etimologët tanë qesharak, nuk e kundërshtojnë, por ende meren me kolosët e etimologjisë shkencore shqiptare.
Nejse! Si u mundova ta hiqja mendjen nga ai paloetimolog, më del si për dreq, një shkrim i etimolgëve tanë popullorë, ku listonin një sërë fjalësh që janë shqipe.
Cilat fjalë? E di që mbase dhe ndonjëri prej miqve a mikeshave të mija mund të më thotë: lëri të notojnë në delirin e tyre. E vërtetë! Por nuk mundem!
Ja ç'publikonte një faqe, ku shkruanin erimologët popullorë:
"Po t’i hedhim një vështrim të shpejtë hartës të Evropës, do të vëmë re se shumë qytete dhe krahina kanë emërtime të kuptimit në gjuhën shqipe dhe vetëm në gjuhën shqipe si për shembull:
– Toskana në Itali qe e ka marrë këtë emër prej banorëve të saj, se ata ishin toskë të njëjtë me ata të Shqipërisë.
– Brindizi lexohet ne shqip: bri ndezur.
– Kryeqyteti i Francës Parisi është në shqip: i pari ose si i pari.
– Marrsiella, qytet i Francës e ka marrë këtë emër nga shqiptarët në lashtësi sepse ai ka qenë dhe është qytet bregdetar tregtar, pra marr dhe sjell.
Po të vërejmë emërtimet e qyteteve të lashta greke edhe këta kanë emra të kuptimit shqiptar, për shembull, Athina – a thënë, Edessa – e desha, Thiva – theva.
Po ashtu Homeri rrjedh nga fjalë shqipe, duke pasur parasysh që ai ishte i verbër, pellazgët i vunë emrin i Mjerë, Homer. Veprat e tij Iliada dhe Odisea (Udhë sheh) janë legjenda pellazge ose shqiptare, që u shkruan nga Homeri dhe gjatë shekujve u përvetësuan nga shkruesit e mëvonshëm bizantinë. Tek Iliada, të gjithë kryetarët e fiseve, pjesëmarrëse në betejën e Trojës dhe vendet nga vinin kanë emra të kuptimit në shqip, për shembull:
Mikena – mik kena/kemi, mbret ishte Agamenoni..
Menelao – mëndja e la, ishte mbret i Spartës, vëllai i Agamemnonit.
Mirmidonët – mirditorët, kishin mbret Aqilean ose Akilin, që do të thotë-aq i lehtë.
Elena – e lanë mend.
Priami – i parë jam ose prij jam, mbreti i Trojës.
Paridi – i pari që di, etj.
Në të gjitha kohërat bizantinët kanë pasur maninë për të përshtatur fjalët jo-greke në fjalë greke. Kjo mënyrë veprimi ka ndryshuar deri diku dhe mënyrën e shqiptimit të fjalëve ose emrave. Megjithatë, po të shohim perënditë e lashta te Olimpit ku besonin grekët në lashtësi, do vërejmë se ato perëndi lexohen apo kuptohen vetëm në gjuhen shqipe si për shembull:
Zeus – Zë, është perëndia më e fuqishme që kishte për grua perëndinë.
Hera – Era. Perëndia tjetër Letos – Leton. Zeusi më vonë u martua me perëndeshën Mentis – mend dhe lindën Athinanë. Marsi, ishte perëndia e luftës dhe shumë herë nxiste grindje midis njerëzve prandaj e pat marrë emrin nga shqipja ‘’i marrë’’. Perëndia Apolon mendoj se e ka marre këtë emër nga shqipja, apo-loni, dhe vërtet Apoloni ishte perëndi i muzikës, poezisë dhe harqeve, dhe çfarë bënte Apoloni! Luante muzikë, i ndryshonte drejtimin shigjetave. Loja më e dashur për të luajtur për fëmijët ishte shigjeta. Perëndia e detit quhej Tetis, që shume lehtë në shqipe T zëvendësohet me D.
Po të shohim ditës e javës në gjuhën shqipe vërejmë se kanë një kuptim të plotë shqiptar dhe të perëndive ku besonin pellazgët. E diela, është dita që përfaqëson Diellin ngaqë e diela është dita më me shumë diell. E hëna përfaqëson hënën. E marta është dita e Marsit dhe quhet si ditë e marrë. E mërkura është dita e Mërkurit. E enjtja nuk është zbuluar akoma. E premtja është dita e zezë, të prenë, e prenë. E shtuna përfaqëson Saturnin."
A doni më? Si dola nga lundrimi në internet, bëj të hap televizorin, dhe bash si për "fatin tim të mirë", në ekran shfaqet "Kojshia", në emision ishte i ftuar Dalipaj me një nxënës të shkollës së tij. Nuk bëhej gjë me të "bukur" kur nxënësi dhe profesori shpjegonin në tabelë etiomat dhe folësi i ndiqte gojëhapur.
Ku po shkojmë? Kujt po i shërbejnë? Si more këta drejtues emisionesh nuk thërrasin specialistë të fushës? Si more meren me gjëra amatoreske?
Si nuk del kush të bëjë emisione për traditën, kulturën shqiptare? Si nuk dalin e të bëjnë emisione për fëmijë, ku t'i nxisin për të mësuar bukur gjuhën standarde shqipe. Të ketë biseda për librat e lexuar. Kjo nuk po ndodh. Përse? Pyetja mbetet retorike.
Kaq televizione kombëtare, si në Shqipëri, Kosovë dhe RMV dhe nuk po kontribuojnë për emisione që formësojnë bretin e ri. Çdo shtet demokratik, ka grupe pune për formësimin dhe nxitjen e ndjenjës së atdhedashurisë tek të rinjtë, tek ne, fare.
Duke qenë se specialistët flasin rrallë në televizione, letërsia shqipe për fëmijë është e varfër, furnizimi i bibliotekave shkollore lë për të dëshiruar, i është hapur rruga sharlatanëve dhe druaj se brezi i ri do t'i ndjekë. Përse? Nga faktorët që përmenda më sipër.
Sa nuk është vonë televizionet duhet të thërrasin specialistë dhe të ketë emisione sensibilizuese. Në kurikula duhet ndërhyrë, madje në lëndën e gjuhës amtare duhet të futen njohuri të etimologjisë shkencore, që brezi i ri të mos bjerë prehë e budallallëqeve të panumërta.
Etimologjia është një degë e shkencës gjuhësore, që merret me prejardhjen e fjalëve. Ajo përcakton se kjo apo ajo fjalë e një gjuhe është fjalë vendi apo e huazuar, zbulon lidhjet e dikurshme midis fjalëve të një gjuhe si edhe lidhjet e tyre gjenetike midis fjalëve me fjalët që u përgjigjen në gjuhët motra.²
Etimologjia merr dhe studion kryesisht fjalët rrënjë të një gjuhe dhe ato që sot ndihen të tilla. Për të sqaruar drejt prejardhjen e fjalëve , ajo sjell material për krahasim nga gjuhët e afërta. Kjo është etimologji shkencore. Etimologjia popullore përcakton prejardhjen e fjalëve , duke u mbështetur zakonisht te ngjashmëria e tyre e jashtme, tingullore me fjalët e tjera të njohura zakonisht pa marrë parasysh ligjet e zhvillimit historik të gjuhëve. Fjala etimologji përdoret në praktikë jo vetëm për të treguar atë degë të gjuhësisë , që studion prejardhjen e fjalëve, por edhe për të shënuar vetë prejardhjen e fjalës (kështu themi se etimologjia e kësaj fjale është e vështirë, e paqartë). Përcaktimi i etimologjisë së fjalëve ka, veç interesit shkencor, edhe një rëndësi të madhe njohëse. Studimet etimologjike ndihmojnë drejtpërdrejt në historinë e një populli, sepse historia e një gjuhe nuk mund të shkëputet nga historia e një populli që e flet, ato janë të lidhura ngushtë me njëra–tjetrën.
1.Jovan Ilić Deretić (1938-2021)ishte një publicist dhe shkrimtar serb. Deretić ishte një inxhinier nga trajnimi, por u shqua kryesisht për teoritë e tij pseudohistorike dhe konspirative. Ai ishte ithtar i një historie alternative të serbëve që pohon një rol më të madh në histori sesa përshkruhet nga historianët.
2. Çabej, III 1976/dritare.net