Xhaxhai im do t’i braktisë këto koshere!
Dritare.net
Nga Marina Kërçeli
Fundjavë, u riktheva pas më shumë se dy muajsh te familja ime aty ku më pret gjyshja dhe mami, pasi vëllanë dhe babanë i ka larguar emigracioni.
Pasi hëngra mëngjes vendosa të shëtis në fshatin tim të vogël që më kultivoi dëshirën për punën dhe më mësoi sakrificën që bëjnë njerëzit e thjeshtë. Ktheva sytë rreth e përqark dhe ç'të shihja, qeshi, mollë, dardha, dhe plot jeshillëk.
Në bahçenë e vogël të xhaxhit tim, rriten dhe shtohen çdo ditë bletë, të cilat ai fillimisht i kultivoi për nevoja familjare. Më pas puna i mësoi punën dhe vendosi ta kthejë në biznes, duke punuar dita-ditës dhe ai si bletët. U bënë më shumë se dy vite që Adriatiku merret me këtë biznes kaq fisnik që nuk prodhon të ardhura të larta, jo sepse nuk vlen pesha e atij produkti që është ilaç për trupin dhe mendjen. Por sepse në Devoll tregu është i kufizuar dhe si çdo gjë tjetër dhe mjalti i Adriatikut ngeli stok.
Lufton dita-ditës që t’i sigurojë ushqim bletëve për të cilat është zotuar, ndërsa familjes së tij nuk ia siguron dot.
"Do t'i shes kosheret!”, më tha me gjysëm zëri. U preva dhe unë në atë moment. Kuptova se mundi i Adriatikut kishte ikur dëm dhe kosheret do të boshatisen, bashkë me të dhe banesa e tij. Adriatiku do të largohet në emigracion, ashtu si dy vëllezërit e tij. Gjurmë e nismës së tij do të ngelen vetëm hardhitë ku kullosnin bletët dhe tek-tuk ndonjë koshere e cila do të zbërthehet për dru në dimër.
Çfarë pikëllimi! Nuk dija ç't’i thosha nëse do të përpiqesha ta ndaloja, nuk dija ç'zgjidhje t’i ofroja. Thjesht vendosa të nxirrja gjithë trishtimin, mllefin në shkrim. Trishtohem pamasë që çdo nismë e fshatarëve dështon dhe kthehet në shembull të keq duke na prerë krahët ne të rinjve.
Po ne ç'koshere do të ndërtojmë?/dritare.net