Nga Metin Turhani
Tashmë çdokush prej nesh është familjarizuar me një monstër mikroskopike të quajtur Koronavirus, më saktë COVID-19. Corona, term që vjen nga latinishtja (lat.corona = kurorë), nuk i referohet kapacitetit për të qenë në krye të viruseve më infektuese e për më tepër për të shkaktuar një pandemi, por strukturës në formën e një kurore e cila karakterizohet nga vendosja në seri e një numri glikoproteinash në sipërfaqen e tij.
Sipas virologëve, Koronavirusi ka qenë gjithmonë i pranishëm në perditshmërinë tonë dhe është përgjegjës për rreth 25% të gripit sezonal duke pasur një impakt beninj në organizmin human. Megjithatë, studiuesit janë ndeshur me këtë mikrorganizëm edhe në një formë tjeter të modifikuar që ka shkaktuar epidemi te rënda, për nga numri i lartë i vdekshmërise, si Sindroma e Rëndë Respiratore Akute (SARS) dhe Sindroma Respiratore e Lindjes së Mesme (MERS). SARS-i është shfaqur për herë të parë në nëntor të vitit 2002 në një provincë të Kinës të quajtur Guangdong dhe në mars të vitit 2003, Instituti Pasteur në Paris ka bërë të mundur identifikimin e këtij virusi si një Koronavirus. Më tej, MERS është shfaqur për herë të parë në vitin 2012 kur Dr. Zaki, një virolog i mirënjohur egjiptian, ka bërë të mundur izolimin e këtij virusi duke e identifikuar kështu si një tipologji të Koronavirusit të panjohur më parë.
Por përse ky virus u shfaq tani me këtë potencial shpërthyes malinj?
Në bazë të kërkimeve dhe të dhënave që janë marrë nga studimet mbi epidemitë e lartpërmendura ku janë vëzhguar sekuencat gjenetike të Koronavirusit, studiuesit kanë arritur në përfundimin që shkaktarë kryesorë të rritjes së aftësive virulente të këtij mikrorganizmi janë lakuriqët e natës.
Këto gjallesa njihen ndryshe si rezervuarë natyralë të infeksioneve; një mjedis ku një mikrorganizëm patogjen mund të adaptohet mjaft lehtë, të vazhdojë ciklin e tij riprodhues dhe të ketë një stimulim të tijin duke finalizuar formimin e një serie mutacionesh. Mënyra e transmetimit të këtij virusi tek njeriu lehtësohet nëpërmjet infektimit të një kafshe ndërmjetëse (intermediare) në të cilën koronavirusi shumëfishon modifikimin gjenetik të tij. Në rastin e COVID-19 mësohet se virusi ka pësuar mutacionin e tij final tek pangolini Malajan, pasi ky i fundit është infektuar nga lakuriqi i natës. Studiuesit kanë treguar një përputhshmëri mbi 95% të sekuencave gjenetike të virusit në gjallesat ndërmjetëse me virusin e gjetur tek qelizat humane. Pangolinët janë gjitarë që gjenden kryesisht në Azinë tropikale dhe në Afrikën jugore. Këto gjallesa të cilat kanë një veshje të jashtme në formë armature unike, janë kafshët më të trafikuara në botë. Në nëntor të vitit 2010, këto kafshë u klasifikuan si specie në zhdukje nga Shoqëria Zoologjike e Londrës (ZSL) dhe në vitin 2016 Konventa e Washingtonit (CITES) ka dënuar tregtimin e tyre, si pasojë e përshkallëzimit të vazhdueshëm të trafikimit të tyre. Pangolinët njihen gjithashtu gjerësisht për shfrytëzimin në mjekësinë popullore kineze, prodhimin e mallrave luksoze, si edhe duke e përfshirë në kulinari për demonstrimin e një statusi të lartë social në një pjesë të Azisë . Këto krijesa të buta e endacake me një ecje çalamane komike kanë një rol kyç në ekosistem. Ato ushqehen me gjallesa të tilla si milingonat dhe termitet; këto të fundit njihen ndryshe si shkatërruesit e heshtur dhe janë specie që i përkasin një kategorie të veçantë të familjes së insekteve, pasi sjellin dëmtime serioze në ndërtesa, plantacione, dhe pyje. Termitet kryejnë dëme afërsisht deri në $5 miliardë çdo vit, duke shkaktuar kështu humbje të konsiderueshme ekonomike kryesisht në zonat Aziatike dhe në pjesën jugore të Afrikës.
Prandaj, zhdukja e pangolinëve ka një efekt boomerang dhe paralajmërues në përditshmërinë e secilit prej nesh, ndoshta deri në pikën e prishjes së balancave ekologjike të piramidës së biodiversitetit.
Pra ky shtetrrethim që po përjeton njerëzimi mund të jetë shkakpasoje e përgjegjshmërisë dhe papërgjegjshmerisë të përditshme tonën ndaj ekosistemit duke grishuar kështu COVID19 per luftë./ Dritare.net