Na ndiqni edhe në

Shkruaj në Dritare

Atentati në Rinas, kur krimi bëhet kronikë e përditshme dhe shoqëria mësohet me frikën!

Atentati në Rinas, kur krimi bëhet kronikë e përditshme dhe

Atentati i sotëm në Rinas, ku u ekzekutua ish-anëtari i grupit të Emiljano Shullazit, Gilmando Dani, nuk është vetëm një ngjarje kriminale me një viktimë më shumë. Është pasqyra e një realiteti që po e trondit prej vitesh shoqërinë shqiptare, normalizimi i dhunës, i krimit dhe i ekzekutimeve me stil mafioz në mes të ditës.

Një njeri që sapo kishte dalë nga burgu, që kishte qenë më parë i dënuar për gjobëvënie, që kishte mbijetuar dy atentate, u vra sot në një nga zonat më të mbrojtura të vendit, në afërsi të Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, portës kryesore të vendit për botën. Ngjarje si kjo tregojnë se krimi i organizuar në Shqipëri nuk fshihet më, nuk ruan më maskën apo hijen e viteve ’90. Përkundrazi, vepron me guxim, me përgatitje të saktë dhe shpesh me një siguri të frikshme se mund t’i shpëtojë ndëshkimit.

Kur atentatet ndodhin mes autostradave, pranë aeroporteve apo në zemër të Tiranës, mesazhi që merr qytetari është i qartë, ligji nuk mbretëron gjithmonë mbi armën. Një pjesë tjetër e problemit është apatia kolektive. Ngjarje që dikur do të shkaktonin tronditje të madhe kombëtare, sot kalojnë si lajme të radhës në portale, të ndjekura me komente të tipit “një më pak”.

Kur qytetarët nisin të shohin vrasjet si pjesë të përditshmërisë, shoqëria hyn në një fazë shumë të rrezikshme, në normalizimin e së keqes. Në këtë klimë, brezat e rinj nuk e shohin më krimin si rrezik moral, por si një “rrugë alternative” për pushtet dhe pasuri të shpejtë.

Kur krimi godet me aq saktësi dhe siguri, pyetja që lind është, ku dështojnë strukturat e shtetit?

Siguria publike nuk është vetëm çështje policore, është themel i besimit qytetar tek shteti. Në momentin që qytetari humbet ndjenjën se është i mbrojtur, ai humbet besimin tek çdo autoritet. Ky nuk është thjesht një episod i një konflikti mes grupeve. Kur krimi vret në mes të rrugës, ai dërgon një mesazh frike tek shoqëria, një paralizë morale dhe psikologjike. Ai thellon ndarjen mes qytetarëve dhe institucioneve, i shtyn njerëzit drejt vetëmbrojtjes, dyshimit dhe largimit nga vendi. Një vend ku atentatet janë lajme të zakonshme, është një vend që po humb imunitetin moral ndaj së keqes.

Koha për të parë përtej një emri

Sot flitet për Gilmando Danin. Nesër mund të jetë dikush tjetër. Emrat ndryshojnë, por rrethimi mbetet i njëjtë – një rreth dhune, hakmarrjesh dhe dështimi institucional që po i kushton shoqërisë besim, siguri dhe dinjitet. Nëse ky atentat mbetet vetëm një kronikë policore, do të humbasim edhe një shans tjetër për reflektim. Sepse problemi nuk është vetëm kush e vrau Gilmando Danin, por pse një shoqëri e tërë është bërë spektatore e heshtur e vrasjeve.

Në fund, atentati në Rinas nuk është vetëm një krim i rëndë – është një pasqyrë e vendit ku ndodhemi. Dhe pasqyrat, sado të hidhura, duhet parë, jo shmangur./dritare.net