
Gen X shqiptar, brezi që nuk u dorëzua kurrë!
Dritare.net
Nga Dritare Tv
Ata lindën në një botë gri, pa ngjyra, pa reklama, pa zgjedhje. Një brez që mësoi të heshtë përpara se të mësonte të fliste.
Të mos pyeste, sepse pyetjet ishin të rrezikshme. Të qeshte në heshtje, sepse gëzimi duhej kontrolluar. Ata janë fëmijët e fundit të diktaturës dhe të parët e tranzicionit.
Kanë parë prindërit e tyre në radhë për vajguri, dhe fëmijët e tyre me telefonë të mençur.
Kanë jetuar dy jetë në një: njërën me orë muri që s’punonte, tjetrën me orë dixhitale që s’ndalet kurrë. Ata janë brezi që doli në rrugë në ’90, me besim të verbër se gjithçka do ndryshonte.
Që besoi te fjala “liri” pa e ditur ç’do të thoshte saktësisht. Që iku me anije, me shpresë, me frikë, me etje. Që ndërtoi jetën në botëra të huaja, por që s’e humbi kurrë dialektin, aromën e bukës së shtëpisë, mallin për malin dhe detin.
Ata janë brezi që s’u bë dot pronar i së shkuarës, as zot i së ardhmes. Janë ata që mbajtën mbi supe Shqipërinë kur ajo po binte, por që s’morën kurrë lavdinë për këtë.
Sot janë prindër të mençur, por të lodhur; njerëz që dinë ç’është mungesa, por që japin gjithçka që kanë.
Brezi i humbur nuk është i humbur, në të vërtetë. Ai është brezi që pagoi çmimin që Shqipëria të gjente vetveten. Ata që s’kërkuan kurrë duartrokitje, por punuan në heshtje.
Që rrinin në radhë për bukë, dhe sot presin në radhë për drejtësi.
Që e deshën vendin pa kushte, edhe kur ai s’i deshi. Brezi i humbur është ura midis errësirës dhe dritës. Dhe ndoshta për këtë, historia do t’i kujtojë jo si të humbur, por si ata që nuk u dorëzuan kurrë./ dritare.net

















