Na ndiqni edhe në

Shkruaj në Dritare

Finalja është e Evropës, por festa i takon Shqipërisë!

Finalja është e Evropës, por festa i takon Shqipërisë!

Nga Ermal Peçi

Finalja është e Evropës, por festa i takon Shqipërisë!

Në historinë tonë të futbollit festa të tilla kanë qenë të pakta. Loja e bukur e futbollit, e cila emocionon mijëra tifozë edhe i mban në ankth deri në minutat e fundit, pikërisht nga emocioni që përcjell, është edhe sporti më i bukur në botë.

Një nga tifozët e këtij sporti emocionues jam edhe unë që i shkruaj këto fjalë. Futbolli shqiptar edhe pse është i varfër në produktin cilësor që ofron, përsëri të përcjell emocione të forta. Sa herë është ndeshur Tirana me Partizanin, kryeqyteti është kapluar nga emocione të forta. Emocione të cilat mund t’i përjetosh si sportdashës por edhe si teleshikues nga divani i rehatshëm i shtëpisë ose me një gotë birre të ftohtë në lokalet e kryeqytetit.

Sytë e shqiptarëve, përveç rasteve kur luan kombëtarja apo kur ka zhvillime politike shumë të forta, nuk janë fokusuar asnjëherë kaq pingul mbi kryeqytetin e vendit të tyre. Do të duhet një përgëzim për ata të cilët e bënë të mundur ardhjen e finales së “Conference League” në Shqipëri. U duhet thënë një bravo e madhe sepse sytë e Evropës sot janë mbi ne. Mbi Shqipërinë tonë të bukur, e cila po kërkon Evropën.

Por pse Shqipëria feston sot?

Nuk do të kishte PR dhe marketing më të mirë për vendin tonë se ky eveniment botëror. Finalja e “Conference League” do të luhet midis Romës dhe Feynordit. Roma e Çezarit do të përballet me holandezët e Feynordit për të vendosur kush do të triumfojë. Duke qenë se këto qytete janë epiqendra e Evropës, si për historinë botërore të cilën ato përfaqësojnë po dhe për rëndësinë ekonomike dhe gjeopolitike që ato mbartin për vlerat evropiane, sot sytë e Evropës dhe të botës janë mbi ne.

Këtë mundësi të artë ne nuk duhet ta shfrytëzojnë vetëm për një ndeshje futbolli, por për t’i bërë një reklamë Shqipërisë tonë turistike e të bekuar nga Zoti. Një reklamë për të cilën do të duheshin miliona euro në arenën ndërkombëtare, por që ne mund ta përfitojmë falas. Do të na duhet të prezantojmë turizmin malor, agroturizmin, detin dhe historinë tonë e cila daton që nga koha ilire.

Prandaj sot ne duhet të jemi gati për të reklamuar vendin tonë të bekuar sepse po nuk e reklamuam ne, mos prisni ta bëjë as Greqia, as Serbia e as Mali i Zi. Me pak fjalë askush nuk do ta reklamojë dhe ta prezantojë Shqipërinë më mire se ne në sytë e botës. Prandaj kjo finale ka një rëndësi përtej një ndeshjeje futbolli por do të na duhet ne ta prezantojmë shtetin tonë denjësisht. Kjo mundësi e artë duhet të shfrytëzohet sa më mirë sepse sot Evropa luan në Tiranë ndërsa Shqipëria feston./dritare.net