
Nga Lorena Fjolla
Ky është viti i parë që agjëroj gjithë muajin e Ramazanit. Fëmijë me nënën, mbaj mend të kem agjëruar vetëm Natën e Kadrit, por asohohe as që e dija, çfarë e pse është kjo ditë. Prindërit e mi nuk agjërojnë. Nuk më kanë mësuar zot me emër, as Allah as Jezus, por vetëm Zoti. Unë e quaj veten myslimane, ndonëse nuk di të falem, nuk di ajete, por besoj fuqimisht se zoti në çdo gjuhë t’i lutesh, përgjigjet.
Këtë vit e ndjeva të agjëroja. Për të falënderuar, për t’u lutur për dëshirat dhe planet e këtij viti, që mbetën pezull. Prania e zotit është e nevojshme kudo e kurdo herë, por sot më shumë kurrë.
Duhet pranuar që këtë vit agjërimi është më i lehtë. Punojmë nga shtëpia, koha ka qenë e freskët dhe dita ikën shpejt. Nuk është e njëjtë të agjërosh në muajt e verës me temperatura +30 gradë. Më kujtohet asokohe që shikoja zonja të veshura me perçe dhe mendoja si shumë kujt që mund t’i kenë shkuar ndërmend, se si e përballojnë të nxehtin e ditës. Shtuar faktit që nuk mund të konsumonin asgjë të freskët, pasi agjëronin. Tashmë ndryshe nga vitet e shkuara, ku drejtoja shumë pyetje, sot jam në rolin e atyre që mund të përgjigjen.
Trupi mësohet me rutinën. Përgjatë këtyre ditëve, ndryshe nga ç’mendoja, e ndjej veten më produktive, më energjike. Ndonëse ditën e nis pa pirë kafen e zakonshme, që më parë dukej se ishte e vetmja gjë që më mbante aktive gjatë ditës. Ditët janë më të mbushura me plane. “Ramazan nuk është të flesh gjumë gjithë ditën”, mbaj mend të thoshte gjyshja dikur. Ndaj e kam obliguar veten të merrem gjatë gjithë kohës me diçka. Pastroj shtëpinë, ndihmoj prindërit, punoj nga shtëpia orarin e zakonshëm, dhe shëtis pasditeve nga frika se gjatë ditës vapa do më sjellë etje.
Nuk mbaj mend të jem ushqyer ndonjëherë kaq shëndetshëm. Nga tre kafe në ditë, tani pi një. Konsumoj vakte të plota, ushqime të zgjedhura, pa pije me gaz, pa kafeina, pa alkool. Nëse agjëron, ti lë mënjanë ushqimin por mbush shpirtin. Harron mëritë, dhe fokusohesh te e mira. Mëson të falësh, të durosh, të ndryshosh, por më shumë të shpresosh. Dhe besimi është mënyra më e mirë si ta mbajmë gjallë shpresën./dritare.net

















