Na ndiqni edhe në

Shkruaj në Dritare

Antimafia në letër, korrupsioni në tavolinë

Antimafia në letër, korrupsioni në tavolinë

Nga Miljana Qyrana

Në Shqipëri, për të zbuluar një aferë korrupsioni duhet të ndodhë një skandal publik, një përgjim, një i penduar ose një hetim i guximshëm. Por asnjë mekanizëm nuk e ndalon korrupsionin përpara se të ndodhë. Dhe kjo nuk është rastësi. Është boshllëk i qëllimshëm. Ligji shqiptar “Antimafia” (nr. 10192/2009) në letër është i ashpër: parashikon sekuestrim pasurie edhe pa vendim penal, dhe shënjestron pasurimin e paligjshëm. Por ligji vepron vetëm pas faktit. Në asnjë pikë nuk ekziston një filtër parandalues për subjektet që përfitojnë nga fondet publike. Në asnjë rast nuk kontrollohen paraprakisht kompanitë që marrin pjesë në tenderë, koncesione apo kontrata shtetërore.

Në kontrast të plotë, Ligji Antimafia italian, Dekreti Legjislativ nr. 159/2011, ka një filtër kundër korrupsionit: çdo kompani që prek paranë publike duhet të kalojë certifikatën antimafia e parashikuar qartë në nenet 83 deri 91 të këtij kodi. Ku përcakton rastet kur kërkohet certifikata antimafia për: kontrata publike; koncesione; autorizime administrative; financime dhe subvencione mbi një prag të caktuar.

Kjo nuk është një letër nderi, por një kontroll i thelluar administrativ dhe hetimor për pronarët, administratorët, ortakët dhe lidhjet e tyre të mundshme me krimin e organizuar apo me pasuri të pajustifikuara. Kontrolli kryhet nga prefekturat dhe nga strukturat e drejtësisë. Nëse dalin indicie për rrezik, jo dënim, vetëm dyshim, kompania përjashtohet menjëherë nga çdo procedurë publike. Tenderi ndërpritet. Kontrata nuk nënshkruhet. Kontratat ekzistuese anulohen.

Në Itali, ky filtër është veçanërisht i fortë në sektorin e ndërtimit dhe infrastrukturës, aty ku mafia ka futur tradicionalisht duart dhe pastrimi i parave është më agresiv. Ligji italian kontrollon para se të japë. Ligji shqiptar ndëshkon, nëse mundet, pasi paratë janë shpërndarë. Kjo zbrazëti e lejon krimin ekonomik dhe klientelizmin të operojë përmes procedurash që në dukje janë të ligjshme. Por pyetja është: pse mungon ky filtër në ligjin tonë?

Shqipëria ka adoptuar modelin italian për sekuestrimin, por ka lënë jashtë pjesën më thelbësore — certifikatën antimafia. Ky boshllëk nuk është thjesht teknik. Është strategjik. Pa këtë filtër, firmat që në Itali nuk do të kishin të drejtë të afroheshin pranë një kontrate publike, në Shqipëri jo vetëm që marrin tendera, por mbrohen me ligj. Ato nuk kontrollohen. As për pronësi, as për kapital, as për lidhje me persona nën hetim. Asnjë firmë nuk është ndaluar të konkurrojë për miliona euro nga buxheti, edhe kur figura të njohura për lidhje kriminale qëndrojnë pas tyre.

SPAK vepron pas shpërthimit të aferës, por nuk ka kompetencë ligjore për të ndaluar pjesëmarrjen e firmave të dyshimta në fazën e parë. Kjo është sikur ta thërrasësh zjarrfikësen pasi shtëpia ka marrë flakë dhe ta kesh hedhur benzinën vetë. Pushteti vendor dhe qendror, në mungesë të një certifikate të tillë, ka duart e lira për të shpërndarë kontrata pa asnjë llogaridhënie. Kontrolli real mungon, ndërsa ligji e toleron. Dhe në vend që ta ndalojë pastrimin e parave përmes shtetit, e lejon — dhe shpesh, e lehtëson.

Në Itali, shteti kontrollon përpara se të japë. Në Shqipëri, shteti jep — dhe shpreson të mos zbulohet gjë. Në Itali, përjashtimi nga tenderi bëhet për dyshim. Në Shqipëri, edhe kur ka dosje penale, kontrata nuk anulohet, dhe kur e heton SPAK-u, zakonisht është vonë. Pasuria është transferuar. Kontrata është zbatuar. Dëmi është bërë.

Në thelb, mungesa e një certifikate në ligjin shqiptar është porta hyrëse e legalizuar e pastrimit të parave. Dhe ky është problemi: korrupsioni nuk është më vetëm një devijim — por një sistem i strukturuar, i mbrojtur me boshllëqe ligjore. Nuk ka kontroll, sepse kontrolli do prishte ekuilibrat e klientelës. Nuk ka filtër, sepse filtri do përjashtonte firmat e pushtetit. Nuk ka certifikatë antimafia, sepse nuk ka vullnet për të ndalur paratë që qarkullojnë aty ku shteti vetë bën sikur nuk sheh.

Nëse Shqipëria vërtet do luftë kundër korrupsionit, nuk mjafton të kemi ligje që tingëllojnë bukur. Duhet të kemi nenet që ndalojnë korrupsionin aty ku lind: në aksesin te paraja publike. Pa certifikatën antimafia, çdo kontratë shtetërore është një mundësi për të pastruar, për të përfituar dhe për të ndërtuar me leje, ndërkohë që drejtësia sheh dosjet pas disa vitesh.

Deri atëherë, Ligji Antimafia do të jetë në letër, ndërsa korrupsioni në terren. Dhe boshllëku i vetëm i neneve që mungojnë, do të vazhdojë të jetë garancia më e fortë që pasuria e paligjshme të rritet mbi beton dhe tenderë./dritare.net