
Si të dallosh alergjinë nga ftohja! Flet mjekja alergologe
Dritare.net
Miliona njerëz në mbarë botën vuajnë nga alergjitë e llojeve të ndryshme. Grimcat alergjene të shpërndara në ajër acarojnë rrugët e frymëmarrjes, lëkurën apo çdo pjesë tjetër të trupit. Ndërkohë, mjekët e shohin alergjinë si një shqetësim që po prek gjithnjë e më shumë njerëz. Mjekja alergologe dhe imunologe klinike Dr.Sh.M. Eris Mësonjësi e ftuar në DritareTV tregon se cilët janë shkaktarët e alergjive. Doktoreshë Mësonjësi shpjegon se cilat janë edhe llojet e alergjive që mund të prekin një fëmijë apo të rritur.
“Alergjitë nuk synojnë një organ të caktuar, por janë të shpërndara në të gjithë organizmin. Janë disa forma të sëmundjeve alergjike, ku është e përfshirë dhe përgjigjja e sistemit imunitar të personit. Kemi alergji respiratore që prekin traktin e rrugës së frymëmarrjes, alergji që prekin lëkurën dhe probleme të tjera që lidhen me reaksionet nga ilaçet, që është një klasë shumë e madhe me të cilat përballën shqiptarët sot. Sepse përdorin pa kriter medikamentet. Janë dhe format e rënda të anafilaksisë, që janë reaksione multiorganore. Sëmundjet alergjike ndodhin ndaj substancave që njerëzit përballën çdo ditë. Disa e njohin këtë ushqim ose alergjenë të ajrit si të huaj për organizmin dhe ai reagon në mënyrë të ekzagjeruar kundrejt kësaj substance.
Në rast se kemi një person që vuan nga rrufa alergjike, kemi teshtima, kruarje në hundë, sy, veshë, të cilat kanë karakter ciklik, që përsëriten në një sezon të caktuar, çdo vit. Nëse keni probleme me astmën bronkiale, kemi fishkëllima gjatë marrjes së frymës, kollës që janë gjatë natës. Edhe këto kanë karakter ciklik. Në rast se keni alergji në lëkurë shfaqen pulla në lëkurë që shkaktojnë kruaje dhe shoqërohen me ënjtje të buzës, syve.
Edhe dermatitet shfaqen ndryshe në lëkurë dhe kanë si karakteristikë pruritin. Nëse kemi simptoma të tilla duhet të drejtoheni te mjeku aerolog për një prognozë dhe mjekim të duhur. Sëmundjet alergjike konsiderohen si sëmundje kronike, me prevalenca më të larta.”, thotë mjekja.
Aerologia shpjegon edhe pse janë shtuar sëmundjet alergjike vitet e fundit.
“Nuk ka vetëm një faktor që e nxit. Janë veprime që kanë ndërveprimin e faktorit gjenetik, që është shumë i rëndësishëm. Në rast se një fëmijë ka një prind alergjik, rritet rreziku për rrufë alergjike me 25%, nëse janë të dy prindërit shkon në mbi 50-60%. Janë dhe faktorët ambientalë, pluhuri, myqet në shtëpi dhe jashtë saj.
Mënyra e lindjes së fëmijës, me operacion ose lindje natyrale, sa shumë ekspozohet ndaj antibiotikëve në vitet e para të jetës. Sepse antibiotikët ndryshojnë mikrobiomën, ngarkesën mikrobiale të organizmit. Kjo është një pikë shumë e rëndësishme që na mbron nga disa sëmundje. Ndotja e mjedisit, ngrohja globale që ndikon në zgjatjen e periudhës së polenizimit, janë alergjenë të rëndësishëm. Këto faktorë bëjnë që të rritet prevalenca e sëmundjeve alergjike.”, u shpreh aerologia.
Doktoreshë Mësonjësi shpjegon disa mënyra se si ta dallojmë alergjinë nga e ftohura, apo gripi. Janë disa simptoma, thotë mjekja imunologe që bëjnë ndryshimin.
“Si të dallojmë nëse është alergji apo e ftohur?
Simptomat e rrufës alergjike si teshtimat, kolla, të kruarit e syve, veshëve, nuk janë vetëm të rrufës alergjike, por edhe të formave të tjera të rrufës, edhe asaj virale. Nuk janë vetëm rrufa virale dhe ajo alergjike, por janë edhe ato kronike që janë në total 40%. Për t’i dalluar është karakteri ciklik i sëmundjes. Vjen pranvera dhe pacienti pa pasur asnjë lloj simptome, ka rrufë. Simptomat e rrufës alergjike nuk kanë temperaturë, lodhje, këputje. Por fillon me bllokim hunde, teshtima, kruarje hunde, enjte dhe skuqje brenda syrit, bllokimi i veshit, të kruarat në fyt. Janë simptoma të shfaqjes së rrufës alergjike, pra prekjen e katit të sipërm të rrugëve repsiratore. Karakteri përsëritës është ai që ndez llambën te prindi, apo te personi vetë, që mund të kemi një problem kronik dhe duhet të drejtohemi të mjeku për të vendosur diagnozën, për të marrë mjekimin për rrufën patologjike.”
Për trajtimin e sëmundjeve alergjike duhet të drejtohemi te specialistët. Mjekja i referohet disa mjekimeve që përdoren zakonisht në rast alergjie, por në çdo rast duhet bërë konsulta me mjekun për të parë simptomat dhe të jepet një prognozë e caktuar.
“Trajtim i sëmundjeve alergjike?
Nëse kemi një rrufë alergjike kronike, varet forma e saj nëse ashtë sezonale apo gjithëvjetore, apo në varësi të rëndesës së sëmundjes. Nëse kemi formë të lehtë ngelemi të antialergjikët e thjeshtë, që sot ka pafund. Nëse rast se format janë më të avancuara, ka simptoma që prekin cilësinë e jetës së pacientit, siç është rrufa alergjike, ndërhyhet edhe me mjekime te kortizonikëve intranazalë. Pra të sprajeve të hundës. Pavarësisht mitit që kortizonet janë të dëmshme, ato nuk kanë efekte anësore, mund të merren në periudha afatgjata. Ndërsa astma është një sëmundje që bëhet jetëkërcënuese. Në momentin që pacienti dyshon se mund të ketë simptomat e astmës duhet të shkojë te mjeku me patjetër, si për formën kronike dhe atë akute.
Për format e reaksioneve alergjike apo alergjitë ushqimore metoda më e mirë është evitimi i kontaktit me substancat.
Një grup pacientësh që kemi ne duhet të mbajë me vete mjekimet e emergjencës kudo ata janë për të shpëtuar jetën e tyre.”, tha mjekja aerologë në DritareTV./K.C/dritare.net

















