Paralajmërimi i frikshëm i shkencëtarëve: Covid-19 të lë me pasoja në tru!
Dritare.net
Nga: The Guardian
Shkencëtarët kanë paralajmëruar se mjekët ndoshta po humbasin disa shenja të çrregullimeve serioze dhe potencialisht fatale të trurit të shkaktuar nga koronavirusi, pasi ato shfaqen te pacientët me simptoma të buta ose ata të shëruar. Neurologët në Britaninë e Madhe kanë publikuar, detaje të më shumë se 40 pacientëve me Covid-19, komplikimet e të cilëve shkonin nga inflamacioni i trurit dhe përçartja, deri te dëmtimet nervore dhe goditja në tru.
Një duzinë pacientësh kishin inflamacion të sistemit nervor qendror, 10 kishin delirium ose psikozë, tetë goditje në tru dhe tetë të tjerë kishin probleme nervore periferike, kryesisht të diagnostikuara si sindroma Guillain-Barré, një reagim imunitar që sulmon nervat dhe shkakton paralizë. Është fatale në 5% të rasteve, informon dritare.net. Kjo shton më shumë frikën se koronavirusi mund të lërë pasoja afatgjata te pacientët që infekton. Disa i ka lënë me probleme me frymëmarrjen dhe lodhje, edhe pas shumë kohësh pasi janë shëruar, ndërsa të tjerët me mpirje, dobësi dhe probleme me kujtesën.
Një paciente 55-vjeçare, që nuk vuante nga asnjë lloj sëmundjeje tjetër, filloi të sillet në mënyrë të çuditshme një ditë pasi doli nga spitali, ku ishte shtruar për shkak të koronavirusit. Ajo veshi pantallonat, i hoqi prapë dhe filloi të ketë halucinacione, duke thënë se pa majmunë që po luanin në shtëpinë e saj. Ajo u rishtrua në spital dhe gradualisht e mori veten, pasi mori ilaçe kundër çrregullimeve psikike.
Një tjetër shqetësim është fakti që virusi mund të lërë një pjesë të popullsisë me dëmtime delikate në tru, që bëhen më të dukshme me kalimin e viteve. Kjo mund të ketë ndodhur gjatë pandemisë së gripit spanjoll të vitit 1918, ku rreth një milionë njerëz filluan të shfaqin probleme me trurin./Përshtati: Kadrije Çako/dritare.net