Na ndiqni edhe në

Shëndet

Këshilla për menopauzën! Flet Blerina Bombaj!

Këshilla për menopauzën! Flet Blerina Bombaj!

Dietologia Blerina Bombaj ka ndarë tek Dritare Tv disa këshilla për periudhën e menopauzës, ku ka treguar se ushqimi luan një rol të rëndësishëm.

Blerina shprehet se ndryshimet hormonale që ndodhin këtë periudhë, ndikojnë në uljen e estrogjenit çka sjell edhe ndryshime drastike në përbërjen e trupi tonë, ku për pasojë ne duhet të parandalojmë të këqijat që sjell ky proces.

Ndër të tjera theksoi se për të kuptuar çfarë duhet të ndryshojmë në regjimin tonë, duhet së pari të kuptojmë çfarë ndryshon në organizmin e gruas gjatë menopauzës.

“Ushqimi luan një rol shumë të rëndësishëm në jetën tonë që prej lindjes e deri sa në fund të jetës. Sidomos në periudhën e menopauzës ushqimi mund të bëjë shumë më shumë për ne nga sa e mendojmë. Ndryshimet janë kryesisht hormonale dhe shumë i rëndësishëm është ulja e estrogjenit. Ulja e këtij hormoni bën që të kemi disa ndryshime drastike sidomos në përbërjen e trupit tonë. E uljen e estrogjenit ne humbasim masë muskulare. Ndryshimi i metabolizmit të yndyrave gjithashtu bën që gruaja nga një formë trupi gynoid, pra femëror, të kalojë në një formë trupi android pra mashkullor. Kjo sepse ulen hormonet femërore dhe dominojnë ato mashkullore. E dukshme për syrin e lirë është ndryshimi i vendosjes së dhjamit. Pra ne tashmë kemi një zhvendosje të dhjamit kryesisht në zonën qendrore, nga mesi e sipër dhe tek qafa. Këto ndryshime sjellin më pas dhe një lloj ndryshimi dhe transformim të pamjes estetike të dëshiruar nga gruaja dhe e ndryshon atë nga faza e rinisë kur ajo është në kulmin e zhvillimit të saj dhe format femërore janë edhe estetikisht më të pëlqyeshme.

Ajo që ne mund të bëjmë është të përpiqemi ta parandalojmë këtë proces dhe të këqijat që sjell ky proces. Këtu rolin kryesor e luan aktiviteti fizik, sepse siç thamë masa muskulore bie. Ndërsa përsa i përket ushqimit, roli i tij është që të parandalojë të gjitha komplikacionet që vijnë me rezultat si: kolesterolin e lartë, hipertensionin, problemet me zemrën dhe duhet të parandalojë obezitetin. Pra nuk duhet të marrim më shumë kalori nga sa duhet ndërkohë që duhet të marrim edhe lëndët ushqyese që këtë çrregullim të yndyrnave ta moderojmë apo ta lehtësojmë. Një nga lëndët kryesore është vitamina D e cila nuk merret vetëm nga ushqimi por edhe nga ekspozimi ndaj diellit dhe tek suplemente dhe acidet omega3 që vijnë nga prodhimet e detit kryesisht dhe shumë pak nga bota bimore si nga farat e linit. Ato ndihmojnë me kolesterolin, trashjen e gjakut, për të pasur një lëvizje më të mirë të gjakut në tru.

Të rëndësishme janë edhe proteinat e shëndetshme. Fasulet janë burimi më i shëndetshëm i tyre sepse nuk kanë yndyra si tek mishi i kuq apo bulmeti. Mund të jenë gjithashtu edhe pak bajame, arra apo lajthi sepse kjo na ndihmon shumë për metabolizmin e sheqerit i cili në menopauzë ka tendencën për të qenë i lartë. Gjoksi i pulës, peshku, peshku ton janë një burim i botës shtazore më I mirë se mishi i kuq dhe gjithashtu veza. Të njohura janë edhe luhatjet e humorit,ku ushqimi luan një rol kryesor. Një gotë qumësht me pak kamomil në darkë është shumë i këshillueshëm. Shumë të rëndësishëm janë edhe probiotikët, të cilët kontrollojnë mikrobet e mira që janë në trupin tonë. Për to flitet pak por ruajnë një rol të jashtëzakonshëm në shëndetin tonë por edhe jetëgjatësinë tonë. Produkti kryesor është kosi dhe gjithë produktet që bëhen me procesin e fermentimit, sidomos turshitë.”, u shpreh dietologia./M.K-dritare.net