Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

A do Rama që të jetë kandidat për bashkinë Tiranë? Ja si përgjigjet Erion Braçe!

A do Rama që të jetë kandidat për bashkinë Tiranë?

Në emisionin “Dekalog” në DritareTV me gazetarin Roland Qafoku, deputeti i Partisë Socialiste Erion Braçe është ndalur te diskutimet për garën e brendshme dhe proceset për përzgjedhjen e kandidatëve për drejtimin e Bashkisë së Tiranës.

I pyetur nëse kryeministri Edi Rama e mbështet personalisht për kandidimin në Tiranë, Braçe u tregua i rezervuar, duke deklaruar se nuk mund të flasë në emër të askujt.

“Po pyesni Edi Ramën. Unë nuk mund të flas në emër të tij,” tha ai, duke shtuar se nuk ka pasur komunikime për çështje kandidimi jashtë mbledhjeve zyrtare të punës.

Braçe theksoi se diskutimet për kandidaturat nuk janë personale dhe nuk lidhen me marrëdhënie preferenciale, por me një proces institucional brenda Partisë Socialiste.

“Kam folur vetëm në mbledhje pune. Për gjërat e tjera nuk kam folur dhe nuk është mungesë respekti kjo,” u shpreh ai, duke shtuar se raportet institucionale janë të ndara nga proceset e brendshme politike.

Në vijim, Braçe riktheksoi qëndrimin e tij se përzgjedhja e kandidatëve për drejtimin e Tiranës duhet të kalojë përmes një procesi të hapur dhe të barabartë, ku vendimi të vijë nga vota dhe konkurrenca brenda partisë.

Sipas tij, çdo garë e mbyllur dëmton besimin e anëtarëve dhe vetë funksionimin demokratik të Partisë Socialiste, ndërsa procesi i hapur është mënyra e vetme për të garantuar përfaqësim real politik./dritare.net