Endokrinologu Florian Toti: Ja kush do të marrë fisha diabeti falas!
Dritare.net
Pas lajmit nga ministria e Shëndetësisë për personat diabetik se do të bëhet i mundur shpërndarja falas e fijeve që shërbejnë për të matur diabetin. Në emisionin Dritarja e Doktorit në Dritare Tv u fol mbi këtë temë për të dhënë një informacion më të detajuar mbi kategoritë e pacientëve të cilët do të përfitojnë nga kjo nismë si dhe cilat janë hapat që do të ndiqen deri në finlizimin e këtij procesi. I ftuar për të diskutuar në lidhje me këtë temë ishte mjeku i njohur endokrinolog Florian Toti, i cili shprehet se kjo nismë ka qenë një kërkesë e bërë prej vitesh për t’iu ardhur në ndihmë personave të cilët vuajnë nga diabeti për të ulur sadopak shpenzimet në trajtimin e diabetit.
“Historiku i rimbursimit të fijeve për personat me diabet është një histori mbi 10-vjeçare dhe ka qenë një kërkesë e përsëritur e vazhdueshme ndaj të gjithë ministrave dhe kryeministrave të vendit. Për fat të mirë përpara disa viteve filloi rimbursimi i fijeve fillimisht për personat deri në 18 vjeç dhe më pas kjo moshë u rrit deri në 25 vjeç dhe ne kemi kërkuar gjithmonë që kjo moshë të zgjerohet. Në vitin 2019 na ishte premtuar që mund të zgjerohej fasha e personave me diabet që të përfitojnë fijet falas por duke qenë se ndodhi ngjarja e tërmetit, dhe u pasua nga pandemia e kovidit kuptohet që edhe fokusi u zhvendos nga kjo problematikë.
Ne jemi përpjekur të mirëkuptojmë ministrinë e Shëndetësisë por nuk mund të lemë pa përmendur sidomos edhe kushtet e krizës ekonomike që po kalon gjithë bota dhe kuptohet që personat me diabet ose personat me sëmundje kronike krahas shpenzimeve që shtohen në buxhetin e familjeve të tyre kanë gjithmonë edhe ngarkesën e matjes së shpeshtë të glicemisë, kuptohet që gjatë pandemisë numri i matjeve u shtua dhe një pjesë e mirë e pacientëve vazhdojnë ta masim më shpesh siç kërkohet dhe siç është e këshillueshme edhe nga ne mjekët. Në këtë drejtim mendoj se do të jetë një lajm i mirë për personat me diabet. Por përsa i përket mënyrës si do të funksionë shpërndarja e fijeve ose sa do të jetë numri i personave që përfitojnë, ose cilat kategori , ne këtë nuk e dimë pasi e dëgjuam për herë të parë nga ministrja e Shëndetësisë dhe deri më tani ngelet në kuadrin e premtimit pasi nuk kemi ndonjë hap konkret.
Ne kemi dorëzuar më herët një kërkesë ku kemi përllogaritur sesa fije mund të kërkohen në muaj për një person që trajtohet vetëm me antidiabetikë oral, dhe sa për personat që trajtohen me insulinë. Sigurisht e mirëkuptojmë faktin që bëhet fjalë për një numër të lartë personash, jo vetëm për 700 pacientë saç ishte deri më tani, por besoj se do të kemi hapa të tjerë të rëndësishëm. Ne gjithmonë si shoqatë e diabetit por edhe si ekspertë të endokrinologjisë jemi gjithmonë në dispozicion të ministrisë së Shëndetësisë për të dhënë kontributin tonë për të patur një shpërndarje sa më të mirë të fijeve të diabetit dh epër të qenë sa më pranë situatave rele që ndodhen pacientët me diabet.
Në planin që kemi dorëzuar fillimisht në ministrinë e Shëndetësisë fasha e pacientëve me diabet që përfitonin fije falas përfshinte të rinjët deri në moshën 18 vjet e cila më pas u rrit deri në moshën 25 vjeç dhe deri më sot kjo është kategoria që përfiton. Ne kemi paraqitur disa variante si përshembull të përfitojnë fije falas personat që janë invalidë të plotë, veteranët, personat me ndihmë ekonomike, si dhe të gjithë pensionistët duke i ndarë me kategori në ata që trajtohen vetëm me antidiabetikë oral që kanë nevojë për më pak kontrolle të glicemisë, të marrin më pak fije dhe ata që trajtohen me insulinë të marrin më shumë fije, por këto çështje nuk janë prekur deri më tani”, u shpreh mjeku endokrinolog Florian Toti për Dritare Tv./Xh.Xh/dritare.net