Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

RTSH mirëpret Konkursin Ndërkombëtar të Dirigjentëve, ja kur do të zhvillohet!

RTSH mirëpret Konkursin Ndërkombëtar të Dirigjentëve,
Shqipëria  bëhet mikpritëse e një konkursi  krejt të veçantë e të pazakontë për mjedisin tonë muzikor: Konkursit Ndërkombëtar të Dirigjentëve.  Ka udhëtuar më parë  ky konkurs në  Itali, Francë, Hungari  e të tjerë, në  çatitë muzikore më të njohurat  e botës. Sigurisht që  garancia artistike që  jep Orkestra Simfonike e RTSH-së bëri të mundur që RTSH-ja të jetë mikpritëse e një aktiviteti me përmasa  shumë të mëdha e që domosdo do të lërë gjurmë në jetën artistike të vendit.

Për këtë qëllim Orkestra Simfonike e RTSH-së në bashkëpunim me Agjencinë Ndërkombëtare të Artistëve Studiomusica të Hungarisë po punojnë prej kohësh  për të realizuar një veprimtari të denjë e prestigjioze, duke  qenë në mbështetje të performancës së dirigjentëve që do të jenë pjesëmarrës nga vende të ndryshme të botës. Në datat 2 deri më 8 mars  ky formacion artistik, do të jetë në vëmendjen e publikut artdashës, përmes kësaj ngjarjeje të  veçantë artistike. Pas përfundimit me sukses të fazës së parë konkurruese, do të zhvillohet faza finale e këtij konkursi ndërkombëtar, i cili do të konceptohet në formën e koncerteve. E gjitha kjo ngjarje e madhe artistike do të ketë si bazë realizimi: Orkestrën Simfonike të Radiotelevizionit Shqiptar. Ky aset i  vyer i këtij institucioni, ka  rastin të  afishojë edhe një herë  aftësitë dhe performancën e lartë artistike, por edhe të dëshmojë se zgjedhja e tij nuk ishte e rastësishme.

Gjatë këtyre ditëve konkurrentët do të prezantohen kryeveprat e muzikës botërore si:

P.I. Tchaikovsky: Serenatë për vargjet në C major op. 48

L. van Beethoven: Overture “Prometeu”

Ë. A. ​​Mozart: Symphony 39 në banesë K 543

G. Rossini: Sinfonia nga “Il barbiere di Siviglia” (Ricordi Edicioni kritik nga A. Zedda)

L. van Beethoven: Symphony n ° 5 Lëvizja e parë, e tretë dhe e katërt

S. Prokofiev: Sinfonia nr. 1 në D major “Klasike” Op. 25

Përzgjedhja  e çmimeve fituese do të realizohet nga juria profesioniste ndërkombëtare ku marrin pjesë personalitete të shquara në këtë fushë si:  Zhani Ciko (Shqipëri), kryetar i jurisë, Bernt E. Bauge (Norvegji), Kryeshef Ekzekutiv, Bergen Philharmonic Orchestra; Maurizio Cocciolito (Itali), Drejtor Artistik, Solisti Aquilani; Géza Kovács (Hungari), President i Orkestrës Kombëtare të Radios Kombëtare Hungareze; Vittorio Parisi (Itali), Drejtues  i Konservatorit Giuseppe Verdi në Milano.

Pas përfundimit të konkursit do të shpallen tri çmime fituese të cilëve do t’u jepet mundësia për t’u prezantuar në koncerte me Orkestrat Simfonike më në zë në Evropë si: Orkestra Filarmonie e Bergen (Norvegji),  Manila Symphony Orchestra (Filipine), Orkestra e Dhomës Comunidad Valenciana (Spanjë), Orkestra Simfonike e Budapestit MAV (Hungari),  Orkestra Simfonike e Lindjes së Largët, Khabarovsk (Rusi).

Në rrugëtimin e saj të gjatë, Orkestra Simfonike e RTSH-së ka shumë se çfarë të thotë, por edhe realizimet e periudhës së fundit,  janë dëshmi e kërkesës në rritje dhe e  përpjekjeve për të  qenë adresa artistike ndaj së cilës i referohen të gjithë. Koncertet me  Jonian  Kadeshën në  çelje të stinës koncertore, të pasuara nga  sopranoja Ulpiana Aliaj, por edhe ato nën dirigjimin e  emrave të mëdhenj të kësaj fushe si  Jonathan  Bloxham si dhe realizimi i Simfonisë së Skënderbeut nga Aleksandër Peçi, të gjitha brenda një harku kohor prej disa muajsh, dëshmojnë jo vetëm nivel artistik, por edhe sfidë. Kjo sfidë tashmë pasurohet edhe më tej me  konkursin e dirigjentëve, i cili në finale do të ketë një vepër madhore siç është  “Uvertura Gazmore” e Nikolla Zoraqit/dritare.net