Na ndiqni edhe në

Arkiv

Qeveria teknike e Dibrës

Qeveria teknike e Dibrës
Partia Socialiste e kishte thuajse ‘të paketuar’ e gati për në tregun elektoral emrin e Dionis Ymerajt si kandidat për bashkinë e Dibrës. Kur Partia Demokratike shpalli Sherefedin Shehun si alternative, mazhoranca u zmbraps. Shehu, një ekspert i financës, ish-zëvendësministër, bartës i një profili të qetë dhe teknik, më shumë se politik, kërkonte një ushtar tjetër në kuadratin përballë.

Në njëfarë mënyre, demokratët duke kthyer në Dibër një ekspert të tyrin i kishin dhënë mazhorancës pikërisht atë profil që skiconin në Tiranë: qeveri teknike kërkojmë në qendër, qeveri teknike po u japim edhe në periferi. Sherefedin Shehu u bë kështu i pari ‘ministër’ i një qeveri teknike të cilën Lulzim Basha e ka shpallur si kryefjalë e kryqëndrim të kampit që prin.

Nëse kjo tingëllon si metaforë politike, konsideroni faktet apo hipotezat se pse mazhoranca këmbeu Dinois Ymerin me Muharrem Ramën. Dy janë ato: kërkohej përputhshmëria me një kandidat që do të gëzonte mbështetjen e plotë të LSI, dhe, e dyta, teknicieni nga Tirana, me rrënjë dibrane, ‘thërriste’ në skenë një njeri popullor, njëfarë babaxhani. Ymeri ishte dy pëllëmbë më poshtë në krahasim me ndërthurjen e këtyre elementëve të mishëruar te Shehu.

Të mos harrohet edhe një ndryshim tjetër, jo i vogël, sidomos në rastin e një krahine, të varfër dhe krenare e ironike si Dibra: atë mes një taksidari dhe një humanisti. Si drejtori i Tatim-taksave rajonale Ymeri, duke ditur edhe politikat agresive të qeverisë qendrore, ka krijuar pakënaqësi të cilat nuk mund të jenë rasti i një mjeku si Rama.

Mjeku në çdo rast do të ishte zgjidhja më e mire, sidomos kur kthehesh te historia e afërt e bashkisë së Dibrës. Këto zgjedhje të parakohshme po mbahen si ndëshkim për një ‘krim’ të kryebashkiakut të mëparshëm Shukri Xhelili, kandidat në zgjedhjet e shkuara vendore, nominuar me tam tame prej kryeministrit Rama. Kërkimi i favoreve seksuale në shfrytëzim të postit është akuza që e mban atë ende pas hekurave të paraburgimit në pritje të një vendimi gjykate. Mazhoranca, figurativisht, është me ‘brekë të grisura’ në Dibër.

Muharrem Rama bëhet kështu një sheshues imazhi. Ndoshta kjo e ka shtyrë ish-kryeministrin Berisha, i cili duke iu referuar emblemës së tashme ‘qytetarit dixhital’, por duke përdorur një taktikë të vjetër politike, shpeshherë frytdhënëse, ka synuar pikërisht imazhin e mjekut dibran. Me filozofinë: një sheshuesi imazhesh i duhet rrafshuar imazhi. ‘Parehatia’ e z. Berisha në Facebook është gjithmonë një termometër për temperaturën e gjërave politike në vend.

Një kthim tjetër në qershorin e një viti më pare, kur u mbajtën zgjedhjet vendore në Dibër, na kujton rezultatin e ngushtë me të cilin Shukri Xhelili i mazhorancës fitoi ndaj Krosit të Partisë Demokratike. Edhe pse ky i fundit synonte mandatin e katërt e mbajti deri në fund nën kontroll garën duke e humbur me një diferencë minimale votash. Çfarë ka ndryshuar një vit më vonë kur dibranët panë se oferta socialiste ishte moralisht e korruptuar dhe se projekti më i madh dhe më gjallërues i rajonit Rruga e Arbrit, vazhdon të mbetet e largët si një vis arbënor i cili përshkohet nga një mojsigolem gjithaq tradhtar?

Pyetja ishte retorike dhe përgjigja do të jetë elektorale. Oferta megjithatë, është, në rastin më minimal, kureshtare. Demokratët ofrojnë një teknicien për ta filluar eksperimentin e një ‘qeverie teknike’ në Dibër, ndërkohë që socialistët, asgjë më shumë se një sheshues imazhi. Të atij imazhi që PS e ngriti me duart e veta, sa nëpërmjet Shukri Xhelilit e sa të ca tjerëve më në jug të atdheut, e më në abys të politikës.

Rrjedhimisht, në Dibër zgjedhjet lokale nuk janë lokale; ato janë politike. Njëfarë testi se kush është politikisht, elektoralisht, por edhe moralisht (Zot na ruaj më këtë të fundit!) më afër të vërtetës. Opozita që kërkon dalje nga status quo-ja apo nga prapakthehu me anë të një qeverie teknike, apo mazhoranca që propozon (‘more of the same’) më shumë nga e njëjta gjë?

Sigurisht, zbritjani përfundimeve logjike të arritura ndër këto radhë faktin se komentariati politik shenjtëron me madhështi e herëparësi çdo palë zgjedhje. Garat elektorale janë edhe puna e adrenalina jonë. Kumtet politike, si malet metaforike të Dibrës në këngën e Hajredin pashës, janë mbarsur: për minjtë dhe luanët në politikë do të ketë mjaftueshëm shenja.