Marrëveshja e Ohrit, nga një dokument destruktiv në dokument suksesi!
Dritare.net
Nga Emir Kurtishi, jurist
Kur është nënshkruar Marrëveshja Kornizë e Ohrit, nuk i kam pasur më shumë se 5 vjet. Sot, në mbamendjen time, kur i kujtoj këto ngjarje, më rikthen në fëmijërinë time të hershme, që i takoj atij brezi që jam rritur me diskursin e përdorur të mediumeve mbi dëgjimin e shpeshtë të fjalës “Marrëveshja e Ohrit” dhe “çështja e kontestit të emrit kushtetues të RM-së”. Për këtë të fundit, as që do ta kisha çuar mendjen ndonjëherë se do të ishte objekt i trajtimit në tezën e punimit tim të magjistraturës!
Ndërkohë duke u marrë me “debatin e madh” brenda shqiptar në RMV, së fundmi që u hap me rastin e shënimit të përvjetorit të saj, se kush dhe cila parti ka më tepër hise për ta festuar këtë ngjarje, po bëja përpjekje për ta analizuar këtë dokument juridik dhe politik që dikur ka qenë destruktiv për shtetin e sot shënohet si histori suksesi nga të gjitha qeveritë paraprake, e rrjedhimisht edhe nga kjo Qeveri VMRO-VLEN.
Si sot e 23 vite më parë, në Shkup edhe zyrtarisht hodhën nënshkrimet e përfaqësuesve politikë të Republikës së Maqedonisë në dokumentin e përpiluar në gjuhën angleze që mban emrin: “Marrëveshja Kornizë e Ohrit”, e një qyteti që gjendet në jug-perëndim të vendit tonë. Nënshkruesit e këtij dokumenti ishin: Boris Trajkovski – kryetari i Republikës së Maqedonisë; Lubço Georgievski – kryetar i Qeverisë së RM-së dhe kryetar i VMRO DPMNE-së; Arbën Xhaferi – kryetar i PDSH-së; Branko Crvenkovski – kryetar i LSDM-së dhe Imer Imeri – kryetar i PPD-së. Dëshmitar të nënshkrimit të këtij dokumenti dhe që i paraprinë kësaj ngjarjeje, ishin edhe përfaqësuesi i posaçëm i BE-së Fransoa Leotar dhe ai i SHBA-së Xhejms Perdju.
Edhe pse dokumenti është bazuar në disa parime kyçe, qëllimi i saj kryesor ishte arritja e paqes dhe krijimit të një shteti multietnik në Republikën e Maqedonisë, që e imponoi nevojën për hapjen e Kushtetutës dhe integrimit të saj brenda tekstit kushtetues, duke filluar nga Preambula dhe teksti normativ me amendamente kushtetuese.
Nënshkruesi i këtij dokumenti Arbën Xhaferi, shpeshherë nëpër paraqitjet e tij nëpër intervista pati alarmuar për situatën e re të krijuar pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, që duke marrë në tërësi fazën e implementimit të saj, kishte vërejtur shmangie brengosëse që e anulonin frymën që ishte arritur në Ohër e që ishte fryma e pajtimit ndëretnik. Mënyra se si e shpjegon arritjen e kësaj marrëveshjeje, le të kuptohet se me të gjitha të metat e këtij dokumenti historik, ngelet dëshmitar i disa rrethanave krejtësisht tjera shoqërore dhe politike të asaj kohe, që në aspektin juridik dhe politik nuk reflekton mbi aspiratat dhe për atë se për çfarë është angazhuar populli shqiptar në këtë vend. Nga këtu, vihet në pah fakti se shqiptarët në këtë shtet, gjithmonë e kanë kërkuar maksimumin dhe në fund janë pajtuar me minimumin e atyre që është kërkuar paraprakisht dhe kjo falë kompromisit dhe standardeve të dyfishta nën presionin e fuqishëm të faktorit ndërkombëtar, të cilët në të tilla situata më tepër i kushtojnë vëmendje dhe parapëlqejnë paqen sesa drejtësinë.
Ky dokument ashtu siç është, është shëmbëllim i realitetit dhe sjelljes politike të klasës politike të maqedonasve dhe rezistencës së tyre deri në fund, të cilët nuk u pajtuan me përmbajtjen e saj nga frika se po e humbasin shtetin e tyre. Këtë me naivitet politik e pati pohur ish kryeministri i Qeverisë së RM-së – nënshkruesi i këtij dokumenti Lubço Georgievski, për bindjen e thellë që dominonte tek maqedonasit se implementimi i Marrëveshjes së Ohrit do të thoshte fund i asaj Maqedonie që ata e paskan imagjinuar me dekada dhe tjetri Crvenkovski, gjithashtu nënshkrues i marrëveshjes, në stilin e njohur të politikanëve maqedonas që sa janë në opozitë gjithmonë kërcënojnë me fjalor të rreptë politik, se sa të vijnë në pushtet, nuk do ta respektojnë e nuk do t’i implementojnë marrëveshjet e arritura ndërkombëtare që janë nënshkruar në dëm të popullit maqedonas. Një retorikë të tillë politike pati edhe kryeministri aktual Mickovski, i cili thoshte se do t’i shqyrtonte mundësitë për revidimin e Marrëveshjes së Prespës, por...!?
Sot, maqedonasit, çuditërisht i gjen si përkrahësit më të mëdhenj të kësaj marrëveshjeje, madje, kjo u ka shërbyer shpeshherë ndër reshta si ikonë që ndalon çfarëdo lloj debati për realizimin e mëtutjeshëm të të drejtave të shqiptarëve, si riformulimi i 20% të gjuhës zyrtare në RMV si dhe kërkimi i të drejtave të tjera.
E vërteta është se ky dokument gjithsesi arriti që ta ndryshojë realitetin shoqëror dhe politik të shtetit, por nuk është i vërtetë pohimi se vetëm shqiptarët janë hisedarë dhe përfituesit më të mëdhenj të kësaj marrëveshjeje.
Kjo marrëveshje megjithëse në dëm të shqiptarëve, për shkak të natyrës teknike gjuhësore që interpretohej “sipas situatës” dhe devijimit të saj, shqiptarët e kapërdinë për t’i treguar faktorit ndërkombëtar se ata janë sërish për paqe dhe për ndërtim të përbashkët të këtij shteti, janë për një të ardhme të përbashkët duke i vënë theks të veçantë integrimit në strukturat euro-atlantike, sepse lufta në Maqedoni, ishte rast i vetëm i njohur ndonjëherë që nuk u zhvillua për territore, por për status të barabartë të qytetarëve në këtë shtet, ndërkaq, ata të cilët dëshironin ndarjen e saj ishin politikanët maqedonas, më i spikaturi Georgievski, që më pas Akademia e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë e kërkonte të njëjtën gjë.
Nga perspektiva e sotme, mund të themi se kjo marrëveshje u tregua pjesërisht efikase dhe e suksesshme duke pasur parasysh se edhe pas 23 viteve të nënshkrimit të saj, sërish çalon në zbatimin e saj, sidomos në arritjen e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat, çështja e decentralizimit e më e rëndësishme në ndërtimin e një shoqërie kohezive.
Kujtoj, sot gjithashtu bëhet një vjet kur pata reaguar me një shkrim dedikuar fasadës së realitetit multietnik të RMV-së, si shkak i thirrjes së politikanëve maqedonas për dënimin e disa funksionarëve shqiptarë me rastin e vizitës së Albin Kurtit në Maqedoninë e Veriut, ku në një manifestim në Tetovë, ishte valvitur flamuri kombëtar dhe ishte kënduar himni kombëtar, përkatësisht nuk ishin respektuar në “vizitë private” protokollet shtetërore!
Çdo e keqe është implus për të bërë diçka të mirë. Brezat e rinj, të paktën në çdo përvjetor duhet ta lexojnë Marrëveshjen e Ohrit dhe ta analizojnë atë, ndërkaq, politikbërësit duhet t’i ndreçin gabimet për arritjen e një perspektiveje më të mirë shoqërore e politike në vendin tonë, aty ku filluam në përputhje me frymën e synuar të kësaj marrëveshjeje për të përfunduar aty do të dëshironim të gjithë: sigurimi i statusit kushtetues së shqiptarëve dhe krijimi i një shteti multietnik funksional!/dritare.net