Na ndiqni edhe në

Opinione

Eksportimi i më të pasurve nga Rama te Basha!

Eksportimi i më të pasurve nga Rama te Basha!

Nga Andi Bushati

Pasi Lulzim Basha shpalli disa aspekte të programit të tij ekonomik, margaritari i kurorës të së cilave ishte kthimi tek taksa e sheshtë, madje ulja e saj edhe më shumë se në kohë të Berishës (9%), në vend është ndezur një debat sa teorik, po aq edhe praktik, që i ka ngujuar palët në pozicione radikalisht të kundërta.

A i thellon ky taksim edhe më shumë pabarazitë, që përbëjnë sot sëmundjen më kërcënuese të kësaj faze të kapitalizmit? A ishte një dështim taksimi gjoja progresiv që aplikoi rilindja? Dhe mbi të gjitha, a i ndihmon ky ndryshim fiskal i propozuar nga PD, atë grusht oligarkësh që po i marrin frymën ekonomisë së vendit.

Natyrisht, në debatin e madh që po zhvillohet globalisht, që në fillim të këtij shekulli, nuk ka diskutim se taksimi progresiv dhe jo ai i sheshtë është një nga kurat më të forta për luftuar pabarazinë.

Në bestsellerin e tij të dytë, “Kapitali dhe ideoogjia”, Thomas Piketty e vërteton dukshëm me shembuj se si periudha e viteve 1932-1980, pas “New deal” të famshëm të Rusveltit, ku taksat shkuan deri në 80% për të pasurit, solli një ulje tëmndjeshme të pabarazisë, një rritje të madhe të prodhimit dhe mirqenies në SHBA.

Ai sjell gjithashtu në vëmendje edhe versionin e kundërt, se si revolucioni konservatori i Reganit dhe Theçerit, që u shoqërua me uljen e taksave për të pasurit dhe përkoi me rrënimin e alternativës komuniste në botë, prodhoi shumë më tepër pabarazi.

Po ashtu edhe ish ekonomisti star i Bankës Botërore, eksperti i pabarazive, Branko Milanoviç, një nga recetat që jep në botimin e vet të fundit: “Kapitalizmi pa rival”, është taksimi i fortë, sidomos ai i trashigimisë nga prindi tek fëmija, për të luftuar këtë të keqe të botës së sotme.

Pra globlaisht, debati është i qartë, por fatkeqësisht, kjo qasje teorike nuk ka aspak vend këtu në fshatin tonë të vogël.

Sepse këtu, ndonëse rilindja propogandoi taksën progresive, ajo as e aplikoi atë në mënyrë të ndershme dhe për më tepër i përdori ato para që mblodhi për ti çuar në dorën e një grushti të preferuar të saj. Pra testi i dy mandateve të Ramës, ku edhe një taksim disi progresiv u aplikua në sfondin e mungesës së lirisë ekonomike dhe korrupsionit galopant, nuk mund të shërbejë si provë as për dështimin dhe as suksesin e zgjedhjes fiskale që u bë.

E njëjta gjë mund të thuhet edhe për taksën e sheshtë të qeverisë demokrate, që u vu në zbatim në një terren ku dihej se si fitoheshin garat për ARMON apo, Albpetrolin, apo koncesionet e markimit të karburanteve dhe kotrollit të automjeteve.

Pra në këtë kontekst, lufta me shifra për njërin apo tjetrin model filozofie taksimi është e kotë.

Prandaj debati për taksën e sheshtë 9% të Lulzim Bashës, duhet të jetë praktik dhe politik.

Pyetja themelore që shtrohet për të është, se si do të taksohen ata që sipas fakteve të servirura tetë vite me radhë nga PD-ja, kanë fituar miliarda nga paratë e shqiptarëve. Fjala vjen, a do ti përgjysmohen taksat edhe atij biznesmenit të bërë telef nga selia blu, që ka fituar mbi 100 milionë tendera publikë pa garë?

A do lejohet ai ta shtojë e shumojë lirisht pasurinë e grumbulluar padrejtësisht edhe pas ndryshimit të pushtetit, duke qenë prej kohësh në pozita të favorshme në tregu?

Ky është ngërçi për të cilin opozita duhet të ketë një zgjidhje.

Përgjigjja që zakonisht politikanët japin në këto situata është se për rastet e abuzimeve do të vendosë një drejtësi e pavarur e cila do të çlirohet nga ndryshimi i pushtetit.

Se ata do anullojnë koncesionet dhe PPP korruptive.

Por, të gjithë në fakt e dinë se këto s’janë asgjë më tepër se pordhë me rigon.

Nuk ka sot njeri të mendojë se Basha në pushtet do të shembë stadiumin Arena Kombëtare që ka thënë se nuk e njeh. Ashtu sikurse të gjithë e dinë se si përfundon ky refren, që e kanë parë të recituar edhe nga Berisha, me privatizimet e Nanos edhe nga Rama me koncesionet e Berishës.

Pra e vetmja gjë që ka ekskluzivisht në dorë qeveria është korigjimi me mjete fiskale i anomalisë që përjetuam.

Por nëse zgjidhje ligjore nuk do të ketë, dhe përfituesit më të mëdhenj të këtyre 8 viteve do shohin veten edhe me taksa të përgjysmuara, rotacioni i mundshëm i pushtetit mund të përfundojë me një amoralitet të madh.

Natyrisht është jashtë kompetencave të mia të sugjeroj se ç’mund të bëjë PD me taksimin e atyre që i ka etiketuar si oligarkë. Nëse duhet aplikuar një tatim jo i zakontë për ata që kanë përfituar nga paratë publike, apo duhet zgjedhur një rrugë tjetër, kjo është në tagrin e ekspertëve fiskalistë ta tregojnë.

Eshtë gjithashtu non sens ti kërkosh një partie liberale të djathtë një taksë progresive dhe me përqindje shumë të lartë për super të pasurit.

Por, ajo që mund të thuhet me siguri është se taksa e sheshtë 9%, është dhurata më e madhe që mund tu bëhet oligarkëve të Ramës nga një ndryshim i pushtetit.

Ajo do të thellojë pabarazitë sociale dhe ekonomike dhe do ta shndërrojë rotacionin në një farsë të transferimit të më të pasurve nga njëri kryeministër tek tjetri./lapsi.al