

Kështu ka rrëfyer Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati në një intervistë për revistën Psikologji, duke folur për postin e tij si kryediplomat nga një qasje më personale. Gjithmonë nën kostumin e diplomatit dhe me një gjuhë të kujdesshme, Bushatin rrallë herë e kemi parë të shkujdesur, edhe kur objektivat e paparazzit kanë dashur ta kapin “mat”. Këtë herë, nëpërmjet një interviste te revista Psikologji, ai ka vendosur të rrëfejë për rrugëtimin e tij politik dhe atë profesional, vështirësitë e punës si ministër i jashtëm por mbi të gjitha ka prezantuar pjesën më të bukur, familjen.
Si nis dita e një ministri?
Nis vrullshëm, megjithëse leximi i pasqyrës së shtypit rrugës për në zyrë, ka filluar të më duket si komodetit tashmë. Mund të them se ora ime kurdiset vazhdimisht sipas zonave kohore. Të paktën jam imunizuar ndaj fenomenit “jet leg”. Në një ditë të zakonshme në Tiranë, do të niste me vrap tek Parku i Liqenit Artificial.
Sa e vështirë është të qenit Ministër i Jashtëm?
Më kujtohet thënia e një kolegu me eksperiencë në momentet e para të marrjes së detyrës si ministër i jashtëm. “Familja do të ankohet sepse do të shohë rrallë, ekipi kryesor në shërbimin e jashtëm do të ankohet sepse do ta takosh rrallë dhe njerëzit në parti të cilët të mbështesin politikisht do të mërziten gjithashtu sepse nuk do të jesh në gjendje të kalosh shumë kohë me ta”, më pati thënë kolegu.
Detyra e ministrit të jashtëm është sfiduese, po nga ana tjetër edhe shpërblyese. Më duhet të udhëtoj shumë, të takoj njerëz të rëndësishëm, të mbaj qëndrime për ngjarje të paparashikuara. Si ministër i jashtëm ke fatin dhe përgjegjësinë të jesh pjesë e ngjarjeve historike, e momenteve që kërkojnë vendimmarrje dhe qëndrime të qarta. Është një punë dinamike, por në fund të ditës ka një ritëm që më pëlqen.
Si i kemi marrëdhëniet me fqinjët?
Marrëdhëniet me fqinjët i kemi në fokus. Ata me ne i kanë komplekse. Megjithatë, vendet e rajonit sot janë më afër nga sa ishin katër vite më parë. Edhe shqiptarët në Ballkan janë më afër me njëri-tjetrin dhe Shqipëria është një pikë reference për ta. Duhet ta pranojmë dhe promovojmë faktin që marrëdhëniet pozitive me fqinjët janë edhe pasojë e rolit konstruktiv të Shqipërisë në rajon dhe faktorit stabilizues që ajo përfaqëson.
Në cilën fazë ndodhet partneriteti ynë me Turqinë, që si një vend anëtar i NATO-s, duket se ka intensifikuar bashkëpunimin me Rusinë, e cila dikur ka qenë kreu i traktatit të Varshavës?
Turqia është një vend mik, partner strategjik në rajon dhe aleat në NATO. Kjo lidhje forcohet edhe nga komuniteti shqiptar në Turqi, i cili është dëshmi e lidhjes tradicionale midis dy vendeve. Marrëdhëniet me Turqinë janë thelluar vitet e fundit në fushat me interes të përbashkët dhe palët janë të angazhuara të punojnë për konsolidimin e partneritetit strategjik.
Do të ndalesha në një pyetje për marrëdhëniet me Serbinë, ku problematika e kohëve të fundit ka qenë: çështja e Mitrovicës, çështja Haradinaj dhe ajo e trenit propagandistik.... (muri ndarës)...
Ndalimi i Ramush Haradinajt ishte i padrejtë dhe i dënueshëm. Episode të tilla si treni apo ndërtimi i murit në veri të Mitrovicës nuk i shërbejnë normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Është e vështirë të ketë normalizim mes dy vendeve nëse në vend të urave, ndërtohen mure ndarëse.
Përsa i përket marrëdhënieve të vendit tonë me Serbinë, ashtu siç e kam theksuar disa herë, bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Serbisë varet nga normalizimi i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.
Po sa i takon çështjes me Greqinë ku kanë mbetur pezull disa gjëra, që fillojnë me gjirin e luftës, çështjen çame, kufirin detar... Sa mendohet se do na pengojë Greqia në anëtarësimin në BE?
Mendoj se Greqia do të mbështesë Shqipërinë në rrugëtimin e saj europian pasi është edhe në interesin strategjik të saj për të patur një rajon të integruar në BE e për rrjedhojë në paqe dhe prosperitet. Rekomandimi i Komisionit Europian për të hapur negociatat me Shqipërinë dhe konkluzionet e Presidencës së BE-së të cilat e konsiderojnë reformën në drejtësi të një rëndësie parësore për hapjen e negociatave përbëjnë një mesazh të qartë mbi domosdoshmërinë e fillimit sa më të shpejtë të zbatimit të reformës në drejtësi, duke vënë theksin te ligji i “Vettingut”.
Po marrëdhëniet me Amerikën, me ardhjen e Presidentit Trump, sa do të jetë vëmendja Amerikane ndaj Ballkanit, pjesë e së cilës është dhe Shqipëria? A do të ketë largim të vëmendjes për shkak të fronteve të tjera të nxehta në Lindjen e Mesme, ku Amerika do të ketë një politikë më aktive?
SHBA-të janë partner strategjik i Shqipërisë dhe luajnë një rol kyç në demokratizimin, stabilitetin dhe sigurinë në rajon. Kontributi i SHBA-së në procesin e shtetndërtimit dhe demokratizimin e vendit mbetet thelbësor dhe i pazevendësueshëm. Marrëdhëniet midis dy vendve mbeten të forta dhe shkojnë përtej ndryshimit të administratave. Ka pikëprerje të qartë mes prioriteteve të artikuluara nga Presidenti Trump dhe Shqipërisë e vendeve të Ballkanit Perëndimor, sidomos përsa i përket çështjeve të sigurisë dhe sundimit të së drejtës.
Si ka rezultuar mandati i parë për ju në balancë suksesesh? Cili është rezultati me më shumë feedback?
Përgjigjen do ta përmblidhja në tri pohime: Shqipëria vend kandidat në BE dhe me rekomandim të siguruar nga Komisioni Europian për nisjen e bisedimeve për anëtarësim në BE, spirancë stabiliteti në rajon, më e ndjeshme ndaj shqiptarëve nëpër botë. Marrja e statusti të vendit kandidat në BE ishte feedback i drejtpërdrejtë i punës sonë. Procesi i Berlinit dhe angazhimi serioz i Shqipërisë në të i ka shumfishuar lidhjet e rajonit. Bashkëpunimi rajonal është konsoliduar, ndërkohë që kemi arritur t’i afrojmë më shumë shqiptarët në rajon dhe kemi promovuar të drejtat e tyre si qytetarë të barabartë të shteteve ku jetojnë.
Kujt i jeni mirënjohës për periudhën e angazhimeve në detyrë?
Familjes për sakrificën. Edi Ramës për besimin. Partisë Socialiste për mbështetjen. Ekipit tim të ngushtë për durimin.
Cila është koha që ndan me familjen?
Pavarësisht ritmit që ka puna si ministër, familja ime ka kohën e vet të dedikuar. Kryesisht në hapësirat që krijohen ditët e pushimit.
A ka sens fundjava për Ju? Si e menaxhon këtë hapësirë?
Fundjava ka kuptim si konvecion dhe mundohem të rezervoj një hapësirë për veten dhe familjen, megjithëse jo gjithmonë javët e mia kanë një “fundjavë”.
Në fokus të këtij numri të revistës do të kemi FEMRËN. Meqenëse jemi mes dy datash, a ka një surprizë për nënën dhe bashkëshorten tuaj?
Nëse jap një përgjigje nuk do të jetë më surprizë.
Si është Ditmiri si baba? Ju ka rastisur që gjatë kësaj kohe për shkak të angazhimeve të shkoni në takimet me prindër?
Aida kujdeset për takimet me prindër. Por kam qenë disa herë në shkollat e Herës dhe Martinit, sepse nuk mund të jem kurrësesi indiferent për rritjen e tyre. Momentet që kam shijuar më shumë, ndonëse rrallë, janë ato momente kur më është dashur të bëj “baby sitting” për shkak të angazhimeve të Aidës jashtë vendit.
Dilni për shopping me bashkëshorten?
Rastis të jemi bashkë, megjithatë Aida tashmë është më e zonja sesa unë për të blerë gjërat që më duhen dhe më pëlqejnë. Kam besim në shijet e saj.
Duke bërë gjëra të lirshme, i trembeni aparatit fotografik paparazz apo jeni i shpenguar?
Gjykojeni vetë nga numri i herëve që ka pasur fotografi të mijat të shkrepura nga paparazzi.
Në fund të gjithë kësaj panorame, a del koha për miqtë duke kujtuar histori të vjetra e pse jo të ndani një gotë birrë me ta?
Preferoj verën për miqtë e vjetër. Koha për ta nuk është e programuar por mblidhemi kurdo që mundemi dhe ndajmë histori të vjetra dhe të reja.
Po kohë të lirë për veten a mbetet, një libër, film apo sportet? Cilat janë pasionet tuaja?
Nuk mund ta mohoj se puna që bëj është pasion për mua. Por përpiqem të lë vend edhe për pasionet e tjera./ psikologjia

















