Xhufi: Skënderbeu nuk ishte krijim i Rilindësve, por pasaporta e shqiptarëve!
Dritare.net
Gjergj Kastriot Skënderbeu nuk ishte një krijim i Rilindësve, por pasaportë me të cilën identifikohen prej shekujsh shqiptarët. Kështu thotë historiani Pëllumb Xhufi për gazetarin Dritan Hila në një emision dedikuar Himarës. Nëse dikur thoshe emrin e Skënderbeut, të hapeshin të gjitha rrugët, thotë Xhufi.
“Referenca e Gjergj Kastriot Skënderbeut ka qenë e vazhdueshme te himarjotët. Në çdo letër që ata dërgonin si për Papa Gregorin e 13-të, mbretin e Napolit, apo careshën e Rusisë, ata e nisnin letrën me frazën: “Jemi pasardhësit e Skënderbeut.” Skënderbeu nuk ka qenë krijim i Rilindësve, por pasaporta e shqiptarëve. Sot shqiptarët kur shkojnë në Itali, apo Gjermani, e kanë vështirë të paraqiten me të tjerë: Të thonë ne jemi bashkëpatriotët e Panajot Panos, që ka qenë futbollist i shquar, apo të thonë jemi nga vendi i Enver Hoxhës, apo jemi nga vendi i Sali Berishës. Në atë kohë prezantoheshin sikur ishin bijë të Kastriotit. Ka raste nga veriu e jugu kur prezantoheshin fisnikët shqiptarë, thoshin: “Gjyshi im ka qenë kushëri me gjyshin e Skënderbeut.” Ishte një pasaportë që e njihnin të gjithë në Evropë, edhe jepte një lloj garancie. Të hapte rrugët.”, thotë historiani në DritareTV./K.C/dritare.net