Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Turizmi dhe Covid-19: Masat e nevojshme për t'u ndërmarrë!

Turizmi dhe Covid-19: Masat e nevojshme për t'u ndërmarrë!

Nga Shpresim Domi, PhD*

Tek qëndroj në karantinë, në shtëpinë dhe sigurisht bashkë me familjen për të mbrojtur vetën dhe të tjerët, ndihem i kufizuar ndaj shume gjërave, por besoj një emërues i përbashkët i shumëçkaje është liria. Besoj ndajmë të njëjtin mëndim se liri pa udhëtim nuk ka. E ç ‘kuptim ka liria nëse je i detyruar të jesh i karantinosur, pavarësisht nga se vjen, pandemi apo çfarëdo-qoftë.

Tej këtij përshkrimi, gati romantik, në këto ditë, pandemia Covid-19 po na çon drejt një ndryshimi radikal të rendit shoqëror, dhe gjithnjë e më shumë, po merr formë një krizë e pashembullt. Krizë, e cila po tejkalon çdo pritshmëri mbi të nesërmen, rreth çdo dimensioni të jetës shoqërore, por më e përfolura, në ditët e fundit është ekonomia. Ndër më të prekurit është turizmi, e cili është dhe industria më e madhe e sektorit të shërbimeve në nivel global. Një gjë të tillë e konfirmon dhe Organizata Botërore e Turizmit, pranë Kombeve të Bashkuara (UNWTO), ku në një nga deklaratat e saj të ditëve të fundit, tregon se sektori i turizmit aktualisht është një nga më të goditurit nga shpërthimi i pandemisë COVID-19. Sigurisht, shumëkush mund të mendojë se gjithashtu, edhe sektorët e tjerë të ekonomisë janë prekur. Po shumë e vërtetë, por nëse i referohemi masave të marra nga çdo qeveri e vendeve të ndryshme, në funksion të parandalimit të përhapjes së virusit, është distancimi social, ndryshe i njohur si mjekimi jo-farmaceutik. Kjo masë prek në themel funksionimin e këtij sektori. Në fakt, në thelb të përkufizimit të dukurisë së turizmit, është udhëtimi dhe kontakti social. Në këtë linjë, shpesh-herë turizmi konsiderohet edhe si ambasador i paqes, pikërisht sepse nxit kontakte sociale nëpërmjet lëvizjeve të shoqërive nga një vendqëndrim i përhershëm drejt një destinacioni të përkohshëm, si brenda një vendi, ashtu edhe ndërmjet vendeve të ndryshme.

Turizmi dhe Covid-19: Masat e nevojshme për t'u ndërmarrë!

Turizmi ka përjetuar rritje dhe diversifikim të vazhdueshme për t'u bërë një nga sektorët ekonomikë me rritje më të shpejtë në botë. Turizmi është industria më e madhe në botë dhe jep një kontribut të madh në ekonomitë e vendeve të zhvilluara dhe në zhvillim. Kështu, turizmi po bëhet gjithnjë e më shumë si një kontribuues i rëndësishëm në zhvillimin e qëndrueshëm, rritjen ekonomike, punësimin dhe mirëkuptimin ndërkombëtar.

Turizmi dhe Covid-19: Masat e nevojshme për t'u ndërmarrë!

Në nivel global, referuar UNWTO turizmit nxit lëvizjen ndërkombëtarë të rreth 1.4 miliard vizitorëve, gjeneron rreth 1.7 trilion $, punëson 1 në 10 persona. Pra, është një motor zhvillimi socio-ekonomik. Megjithatë, për tu rikthyer tek raporti turizëm-Covid19, UNWTO bën një projeksion me të ardhme të errët për turizmin si pasojë e COVID 19. UNWTO deklaron se bazuar në zhvillimet më të fundit të Covid 19 dhe modelet e krizave të mëparshme (SARS 2003 dhe kriza globale ekonomike 2009), vlerësohet se flukset e turistëve ndërkombëtarë, mund të reduktohen nga 20% në 30% në vitin 2020, që do të thotë kthim pas në kohë 5-7 vite. Në vijim, kjo do të përkthehet në humbje prej 300 deri 450 miliardë $ në faturat (eksportet) e turizmit ndërkombëtar - gati një e treta e 1.5 trilion $ të gjeneruar në nivel global. Megjithatë, këto vlerësime duhet të interpretohen me kujdes duke pasur parasysh madhësinë, paqëndrueshmërinë dhe natyrën e pashembullt të kësaj krize.

Turizmi dhe Covid-19: Masat e nevojshme për t'u ndërmarrë!

Shqipëria është një vend i vogël ku turizmi shihet si një sektor themelor për zhvillimin e ardhshëm dhe të qëndrueshëm socio-ekonomik. Këshilli Botëror i Udhëtimit dhe Turizmit (WTTC) tregon se për vitin 2018, kontributi i drejtpërdrejtë i turizmit në PBB-në e vendit arrin 8.5%, dhe gjeneron 7.7% të punësimit të përgjithshëm (93.500 vende pune). Pra, edhe shifrat konfirmojnë rëndësinë e sektorit.

Turizmi dhe Covid-19: Masat e nevojshme për t'u ndërmarrë!

Megjithëse rritjen e përjetuar, sektori i turizmit në Shqipëri përballet me disa sfida të tilla jetëgjatësia e tij e shkurtër e vetë sektorit, niveli i lartë i informalitetit, sezonalitet, kapacitet njerëzore jo të mirë-arsimuar dhe kualifikuar, pasiguria për të drejtat e pronësisë e cila ka penguar investimet e mëdha, dhe problemet infrastrukturore (Domi et al., 2020).

Turizmi dhe Covid-19: Masat e nevojshme për t'u ndërmarrë!

Megjithatë, krahas rëndësisë së padiskutueshme të sektorit dhe sfidave në kohë normale, në këtë situatë të pashembullt pandemie, dy pyetje të rëndësishme ngrihen; A duhet që sektori i turizmi të jetë pjesë e masave që duhet të ndërmerren nga qeveria? Çfarë duhet bërë, për të synuar ri-mëkëmbjen e këtij sektori?.

Lidhur me pyetjen e parë, një nga institucionet ndërkombëtare më të besueshëm, lidhur me zhvillimet e turizmit UNWTO, ka deklaruar se sipërmarrjet në turizëm, në vendet e prekura nga COVID-19, duhet patjetër të kenë mbështetje financiare dhe politike nëpërmjet masave të rimëkëmbjes. Në vijim, zbatimi i këtyre masave dhe stimujve duhet të planifikohen dhe zbatohen në koordinim me zhvillimin ndërkombëtar dhe organizatat e donatorëve (deklarate e datës 27.03.2020). Lidhur me pyetjen e dytë, Komisioni Evropian, shkon një hap më tej, dhe kërkon që turizmi jo vetëm që duhet të mbështetet, por liston një sërë masash konkrete që duhen ndërmarrë nga ana e shteteve anëtare të BE-s. Disa nga këto masat për tu zbatuar në afatin e shkurtër, madje emergjente, janë, ndihmë shtetërore të përkohshme për sektorin e turizmit, nga ana e qeverive kombëtare; akses të shpejtë dhe të lehtësuar për kredi afatshkurtra dhe të mesme për të kapërcyer mungesën e likuiditetit; lehtësim fiskal, duke filluar me ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, dhe duke u shtrirë në operatorët ekonomikë të gjitha madhësive; mbrojtja e punëmarrësve nga humbja e vendit të punës dhe të ardhurave (skema pune me kohë të shkurtër, programe të ngritjes së kapaciteteve njerëzore) dhe mbështetje për të vetë-punësuarit; shtyrja e kontributeve fiskale dhe sociale.

Turizmi dhe Covid-19: Masat e nevojshme për t'u ndërmarrë!

Për të garantuar një rikuperim të plotë të shpejtë pas krizës, Komisioni bën thirrje për zbatimin e masave shtesë në afatin e gjatë si thjeshtimi i rregullave të marrjes së vizave, me fokus destinacionet e largëta; ulja ose heqja plotësisht e taksave të udhëtarëve (detyrimet e pasagjerëve, taksat e qytetit, etj.); mbështetja e destinacioneve turistike, duke rritur buxhetet për promovim, marketing dhe zhvillim të produkteve, sapo ato të jenë gati të mirëpresin përsëri vizitorët.

Pra, turizmi duhet patjetër të sigurojë mbështetje. Kjo vlen edhe për vendin tonë, ku qeveria duhet me patjetër të reagojë sa më shpejt duke ndërmarrë masa parandaluese të efekteve të pandemisë ndaj sipërmarrjeve turistike.

Personalisht jam partizan i idesë se Shqipëri, si një vend i vogël dhe në zhvillim, nuk ka nevojë të “shpik rrotën”, sidomos përball kësaj situate të pashembullt dhe kaq dinamike, por marrja e praktikave më të mira dhe zbatimi i tyre, sigurisht me përshtatje. Masat e parashtruara nga Komisioni Evropian, janë një kornizë e përshtatshme për tu replikuar edhe në vendin tone, madje pa humbur kohë.

Turizmi dhe Covid-19: Masat e nevojshme për t'u ndërmarrë!

Por çfarë mund të bëhet konkretisht?

Ashtu si edhe në rastin e masave të propozuara nga Komisioni Evropian, edhe në rastin e Shqipërisë duhet që masat të ndahen në dy faza kohore, afat shkurtër dhe afatmesëm.

Në afatin e shkurtër është e domosdoshme ndihma shtetërore të përkohshme për sektorin e turizmit,

· Lehtësimi dhe shkurtimi në mënyrë drastike i procedurave të kredive afatshkurtra dhe të mesme për të kapërcyer mungesën e likuiditetit;

· Lehtësim fiskal, duke filluar me ndërmarrjet e vogla dhe të mesme;

· Përshtatja e kuadrit normativ për mbrojtjen e punëmarrësve nga humbja e vendit të punës dhe të ardhurave;

· Mbështetje të drejtpërdrejt për të vetë-punësuarit;

· Shtyrja e kontributeve fiskale dhe sociale.

Turizmi dhe Covid-19: Masat e nevojshme për t'u ndërmarrë!

Në afatin e mesëm është e këshillueshme të planifikohet për;

· Vijimin i politikave të formalizmit të tregut. Oferta e tregut formal është jashtëzakonisht e vogël në krahasim me atë që vërtetë ofron tregu i akomodimit. Për më tepër, ende ka shume hotele që nuk respektojnë kriteret e vlerësimit të shërbimit nëpërmjet vendosjes së yjeve. Kjo ka rëndësi thelbësore, sepse përcakton cilësinë e shërbimit, gjë për të cilën Shqipëria nuk ka një imazh të mirë.

· Përpilim dhe implementim me efiçencë të programeve të ngritjes së kapaciteteve njerëzore (trajnime). Në fakt Forumi Ekonomik Botëror (WEF, 2018) tregon se kapacitetet njerëzore nuk janë të mirë-arsimuar, dhe përbën një nga faktorët më problematikë për të bërë biznes në Shqipëri.

· Rishikim total duke thjeshtuar procedurat për aplikim dhe marrje të vizave, me fokus vendet me potencial të madh kërkese siç janë Rusia, Kina etj. Një vëmendje duhet të kenë vendet e largëta siç është Meksika etj.

· Rishikimi i plotë i kontratës konçensionare të aeroportit ndërkombëtar të vetëm në vendin tonë (Nënë Tereza), duke synuar uljen e çmimeve të fluturimeve hyrëse dhe dalëse.

· Ulja ose heqja plotësisht e taksave të udhëtarëve siç janë taksat e qytetit etj.

· Përpilimi dhe zbatimi i një programi të qartë si edhe rritja e buxhetit për promovim, marketing ndërkombëtar, sapo Shqipëria të jetë gati të mirëpresë përsëri vizitorë. Promovimi dhe marketingu mund të arrihen duke reklamuar destinacioni Shqipëri në kanalet televizive ndërkombëtare (p.sh. Euronews, CNN, BBC, Al jazeera), artikuj në revistave ndërkombëtare, portale të njohura, mediave sociale dhe pjesëmarrje në panaire ndërkombëtare (p.sh. ITB Berlin). Për më tepër, mund të pajtohen blogerë të njohur ndërkombëtarisht për këtë qellim.

· Nxitje e diversifikimit të produktit turistik duke synuar rritjen e ditëve të qëndrimit të vizitorëve në vendin tonë, gjë e cila do të rrisë shpenzimet e tyre, dhe si rrjedhojë, të ardhurat nga turizmi. Shqipëria kë një iniciativë të shkëlqyer në këtë drejtim, politika e zhvillimit të Agroturizmit.

· Lehtësimi fiskal ndaj çdo iniciativë të përmirësimit të teknologjisë, dhe më gjerë të inovacionit. Në fakt, politika fiskale mund të luajë një rol të rëndësishëm në stimulimin e inovacionit përmes efekteve të tij në kërkimin dhe zhvillimin (R&D), sipërmarrjen dhe transferimin e teknologjisë. Nxitja e implementimit te teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit do të ishte një shembull konkret. Kjo po faktohet gjithnjë e më shumë që shërbimi në mënyra inovative është qasja e duhur për të krijuar mundësinë që destinacione turistike të vogla si Shqipëria, të konkurrojnë me anë të inovacionit dhe jo çmimit.

Turizmi dhe Covid-19: Masat e nevojshme për t'u ndërmarrë!

Si konkluzion, kam bindjen se rimëkëmbja dhe ecuria e mëtejshme e sektorit është plotësisht në varësi të shpejtësisë dhe cilësisë së vendimmarrjeve të politik-bërësve./dritare.net

Pedagog pranë Universitetit Bujqësor të Tiranës.*