Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Studiuesi Ylli Rugova: Ja kush e shpiku alfabetin e shqipes!

Studiuesi Ylli Rugova: Ja kush e shpiku alfabetin e shqipes!

Në Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe po ju sjellim një tregim nga studiuesi i Tipografisë dhe alfabeteve të gjuhës shqipe Ylli Rugova. I ftuar në emisionin Shqip nga Rudina Xhunga në DritareTV, zoti Rugova foli për Anonimin e Elbasanit. Studiuesi thotë se ka gjetur një libër të shkruar nga një studiues grek që tregon me fakte se Anonimi i Elbasanit u shkrua nga Konstantin Mavrudi para vitit 1702. Studiuesi grek, thotë Rugova, shprehet se Mavrudi shpiku alfabetin origjinal të shqipes në Elbasan kur u zhvendos në vitin 1678.

“Konstantin Mavrudi para vitit 1702 ka shpikur alfabetin origjinal të shqipes në Elbasan. Kjo ka qenë një befasi e madhe e cila nuk njihet në historiografinë tonë. Rastësisht e kam gjetur te një libër i një studiuesi grek në arkivin e Athinës. Në të është vetëm formati i mikrofilmuar i librit nuk e njohim kopjen origjinale. Aty flet për Konstantin Mavrudin, në Elbasan. Për të cilin thotë se gjuha shqipe nuk shtypet dhe nuk përdoret në libër por këtë gjë është duke e ndryshuar Konstantin Mavrudi që është një burrë plak i çmueshëm, metropolit i Durrësit, i cili po bën gati alfabetin për gjuhën shqipe edhe për formatin e shtypur. Ky informacion nuk është bërë i ditur deri më tani. Konstantin Mavrudi është grek që vjen nga Tunizi, nënën e kishte nga Tunizi dhe babanë nga Selaniku. Në vitin 1678 vjen në Elbasan dhe vendoset në Manastirin e Shën Gjinit. Aty lidhet me komunitetin elbasanas dhe në vitin 1691 boton një libër për Shën Gjin Vladimirin në Venedik. E shkruan shërbesën e Shën Vladimirit por e shtyp në Venedik. Ia kushton popullit elbasanas, me fondet e popullit elbasanas. Është lidhur shumë me komunitetin, prandaj është marrë edhe me alfabetin e shqipes. Studiuesi grek thotë se ky është edhe shpikësi i alfabetit të Elbasanit që është një ide e mundshme dhe duhet të studiohet më shumë. Sepse përputhet edhe me periudhën. Nuk kemi dëshmi konkrete për datimin e Anonimit të Elbasanit. Nëse mëtojmë që ai është tekst i Konstantin Mavrudit atëherë bëhet tekst relativisht i vjetër dhe bëhet një prej teksteve më të vjetra të dëshmuara të mesit të mileut ortodoks shqiptar. Fakti që është me një alfabet origjinal e pasuron dhe e bën më të çmueshëm si vepër. Fatkeqësisht alfabeti i Anonimit të Elbasanit nuk është përdorur askund tjetër. Është i vetmi dokument me atë alfabet. Fakti që janë rreth 50 faqe me këtë alfabet e bën atë një vepër shumë të çmueshme të gjuhës shqipe.

Në Shqipëri po përflitet shumë për përmbajtjen nëse është provë, apo nëse është ndonjë dokument tjetër origjinal, që është përkthyer në shqip apo janë fragmente të Dhiatës. Anonimi i Elbasanit është zbuluar prej Dhimitër Shuteriqit në vitin 1949 në ditët e para të janarit. Bashkë me Injac Zamputin dhe studiues të tjerë e kanë marrë iniciativën për ta deshifruar dhe është punë shumë e rëndësishme. Ata e deshifruan për një kohë shumë të shkurtër dhe e transilteruan në alfabetin e sotëm të shqipes.”, thotë studiuesi në DritareTV./K.C/dritare.net