
SPAK ankimon në Apel vendimin e GJKKO për mosgjykim të Fatmir Mediut
Dritare.net
Prokuroria e Posaçme e Antikorrupsionit (SPAK) ankimoi sot në Apel vendimin e Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO), për mosgjykimin e ish-ministrit Fatmir Mediu. SPAK-u dorëzoi zyrtarisht ankimin kundër vendimit të gjyqtarit Erjon Çela për rigjykimin e Fatmir Mediut. SPAK-u kërkon rrëzimin e vendimit të Shkallës së Parë dhe pranimin e kërkesës dhe nisjen e gjykimit.
Javën e kaluar GJKKO-ja rrëzoi kërkesën e SPAK-ut për gjykimin e ish-ministrit Mediu për çështjen e Gërdecit me arsyetimin se prokuroria ka pasur të gjitha mundësitë që ta hetonte lirisht Fatmir Mediun pasi ai që prej vitit 2012 nuk ka pasur imunitet për t'u hetuar dhe vepra është parashkruar. SPAK-u tha se vendimi i GJKKO-së ishte i pabazuar në ligj ndaj edhe e ankimoi.
Në fillim të këtij viti Feruzan Durdaj dhe Zamira Durdaj, prindërit e 6-vjeçarit Erison Durdaj që humbi jetën tragjikisht nga shpërthimi i Gërdecit më 15 mars të 2008-ës bënë kërkesë në SPAK për të nisur hetimin ndaj Fatmir Mediut, ministër i Mbrojtjes në kohën kur ndodhi ngjarja e Gërdecit.
SPAK e trajtoi pozitivisht këtë kërkesë, duke e vlerësuar se ishte e drejtë të rifillonte ndjekja penale ndaj Mediut, por sot Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e rrëzoi këtë kërkesë.
Kujtojmë se Zamira Durdaj ka kërkuar vazhdimisht rihapjen e çështjes së Gërdecit dhe dënimin e përgjegjësve, për të vënë drejtësi për të birin. Në maj të këtij viti zonja Durdaj në një intervistë në Shqip nga Rudina Xhunga në Dritare TV u shpreh se dosja e Gërdecit u hetua nga një bandë kriminale dhe prandaj duhej rihapur. Ajo tha se, Gërdeci ndodhi nga babëzia për para dhe se ishte babëzia që i vrau djalin. Ndiqeni intervistën e plotë më poshtë!/K.C/ dritare.net

















