Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Sot seanca e 18-të. A do të arrijë Kosova të dalë nga ngërçi politik!

Sot seanca e 18-të. A do të arrijë Kosova të dalë nga

Për të 18-ën herë deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen për të vazhduar seancën për konstituimin e përbërjes së nëntë parlamentare të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Seanca pritet të nisë në orën 10:30.

Në seancën e 17-të majit kryesuesi Avni Dehari kërkoi nga partitë politike të propozojnë nga një përfaqësues për mbarëvajtjen e votimit të fshehtë për të zgjedhur kryeparlamentarin e ri.

Sërish, PDK, LDK, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lista Serbe refuzuan ta propozonin një përfaqësues.

Deri më tani, deputetët kanë kaluar vetëm dy pika të agjendës së seancës konstituive: raportin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe atë të betimit të deputetëve. Por, procesi ka ngecur te pika e tretë: zgjedhja e kryeparlamentarit. Haxhiu e LVV-së po konsiderohet si figurë përçarëse nga dy parti parlamentare: PDK-ja dhe AAK-ja.

Këto dy subjekte kanë kërkuar që LVV-ja të nxjerrë emër tjetër për kryeparlamentar. LDK-ja, ndërkaq, ka thënë se nuk ka vota për asnjë të propozuar të LVV-së për postin e kryeparlamentarit.

Deputetët duhet ta zgjedhin kryetarin dhe pesë nënkryetarët për ta konstituuar përfundimisht Kuvendin e ri. Vetëm pas konstituimit të Kuvendit mund të formohet Qeveria e re.

Çfarë po ndodh konkretisht?

Bllokimi kryesor është mungesa e konsensusit për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV), në koalicion me Guxo dhe Alternativa, ka propozuar Albulena Haxhiun për këtë post, por nuk ka arritur të sigurojë 61 votat e nevojshme.


Partitë opozitare si PDK, LDK dhe AAK, së bashku me Listën Serbe, kanë refuzuar të marrin pjesë në formimin e Komisionit Ad-hoc për votimin e fshehtë të kryetarit, duke e bllokuar kështu procesin.


Propozimi për ndryshim të frekuencës së seancave: Kryesuesi i seancës, Avni Dehari nga LVV, ka propozuar që seancat të mbahen një herë në javë në vend të çdo 48 orë, për të shmangur përsëritjen e dështimeve pa rezultat.

Ky propozim është kundërshtuar nga bashkëkryesuesja e PDK-së, e cila ka theksuar gatishmërinë për të punuar çdo ditë./E.P-dritare.net