Sot, njeriu që i dha emrin rrugës sonë ka 100 vjetorin e lindjes
Dritare.net

Rruga e Dritare TV quhet Tish Daija. Sot ai do të mbushte 100 vjeç!
Kush ishte Tish Daija!
Tish Daija, kompozitor dhe muzikant i shquar shqiptar, lindi më 30 janar 1926 në Shkodër. Që në moshë shumë të vogël, ende pa nisur shkollën, ai u bë pjesëtar i Korit Françeskan, ku nën drejtimin e Pater Martin Gjokës dhe Filip Mazrekut mori mësimet e para muzikore, së bashku me figura që më vonë do të bëheshin emra të mëdhenj të muzikës shqiptare si Tonin Harapi, Çesk Zadeja, Lukë Kaçaj dhe Simon Gjoni.
Në moshën 10-vjeçare, Tish Daija u angazhua si instrumentist në bandën muzikore “Antoniane”, e drejtuar nga Prenk Jakova. Krijimtarinë e tij muzikore e nisi me fizarmonikë, duke kompozuar këngë që do të bëheshin mjaft të njohura, si: “Çik, o mori çikë”, “Ndal, bre vash”, “Me lule të bukura”, “Bjeri gajdes gajdexhi”, etj.
Shkollën e mesme e përfundoi në vitin 1947 në qytetin e lindjes, ndërsa në vitin 1956 kreu studimet e larta në Konservatorin prestigjioz “Çajkovski” në Moskë. Gjatë veprimtarisë së tij, Tish Daija dha një kontribut themelor në zhvillimin e muzikës instrumentalo-simfonike, muzikës së dhomës dhe në krijimin e një tradite të qëndrueshme të muzikës klasike shqiptare.
Së bashku me Çesk Zadejën dhe Tonin Harapin, ai themeloi klasën e kompozicionit në Konservatorin Shtetëror të Tiranës, ku kontribuoi si pedagog në formimin e disa brezave kompozitorësh, muzikologësh dhe instrumentistësh. Pas përfundimit të studimeve, u emërua në Ministrinë e Arsimit dhe Kulturës, ndërsa për 18 vjet radhazi (1962–1980) shërbeu si udhëheqës artistik i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore.
Tish Daija është autor i veprave madhore të muzikës shqiptare, ndër të cilat spikasin opereta “Lejlaja”, opera “Pranvera”, baleti i parë shqiptar “Halili dhe Hajria”, si dhe “Bijtë e Peshkatarit”, ndër shumë të tjera.
Për veprimtarinë e tij të shquar dhe kontributin e çmuar në kulturën muzikore shqiptare, ai u nderua me titullin e lartë “Artist i Popullit” dhe titullin “Profesor”. Tish Daija u nda nga jeta më 3 tetor 2003, në moshën 78-vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi të pasur artistike dhe kulturore./L.F-dritare.net