
Sllovakia nuk njeh Kosovën, presidenti sllovak: Vendimi ynë bazohet në rregullat e diplomacisë!
Dritare.net
Në të parën vizitë të një presidenti sllovak në Shqipëri, Peter Pellegrini, mbërriti sot në Tiranë, ku u prit nga homologu i tij Bajram Begaj.Në takim u vlerësuan marrëdhëniet politike mes dy vendeve, u diskutua procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, avancimi i bashkëpunimit ekonomik, si dhe përkushtimi i përbashkët ndaj integrimit dhe stabilitetit rajonal.
Ndër të tjera, krerët e dy shteteve diskutuan edhe për zhvillimin e Ballkanit dhe integrimin në Bashkimin Evropian. Në lidhje me Kosovën, Presidenti i Republikës i shprehu homologut të tij mirënjohje që Sllovakia ka njohur pasaportat, ndërsa u shpreh se “Shqipëria shpreson në mbështetjen e Sllovakisë për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe për mundësinë e rishikimit të qëndrimit lidhur me Republikën e Kosovës”.
Presidenti sllovak, theksoi se Sllovakia ka një qëndrim të vendosur në lidhje me mosnjohjen e Kosovës, një pozicion që është i mbështetur sipas tij, në rregullat e diplomacisë sllovake.
Ai theksoi gjithashtu se ky qëndrim nuk ka të bëjë me popullin shqiptar apo me qëndrimin ndaj kombit shqiptar, të cilin e konsideron një mik të ngushtë.
"Nuk do i shmangem pyetjeve për Kosovën, ne i kemi diskutuar këto me Presidentin Begaj, unë kam përfaqësuar pozicionin e Sllovakisë për këtë në përgjithësi të vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën. Kjo është në bazë të një vendimi, nuk ka të bëjë fare me popullin e Shqipërisë, me kombin shqiptar, për ne kombi shqiptar është një komb mik, dhe kjo nuk ka të bëjë fare me qëndrimin tonë negativ kundrejt Kosovës.
Kjo është e bazuar në rregullat e diplomacisë tonë për momentin, por unë e informova presidentin për dialogun e artë ndemjet Serbisë dhe Kosovës, për çështjet e sigurisë në rajon, që ka gjithashtu qeveria shqiptare një përfaqësues të posaçëm në lidhje me dialogun që mund të vazhdojë si dialog në të ardhmen. E di që është e nevojshme të vendosim ura", tha presidenti sllovak./L.F-dritare.net

















