Si vdiq në bunker fashisti i fundit i Tiranës! Flet historiani ushtarak!
Dritare.net
Kolonel, Sali Onuzi i ftuar në Shqip nga Rudina Xhunga në DritareTv tregoi se si vdiq gjermani i fundit i Tiranës, sapo mbaroi Lufta e Dytë Botërore. Ai refuzoi të dilte nga bunkeri në qendër të Tiranës, thotë Onuzi, dhe partizanet gjetën mënyrën për ta vrarë brenda në bunker.
“Gjermanët e kishin fortifikuar shumë Tiranën me bunkerë. Madje kishin vendosur edhe mina për të hedhur në erë shumë objekte. Edhe pasi ikën gjermanët, një prej tyre qëndroi në një bunker në qendër të Tiranës. Ai qëndroi disa orë aty edhe qëllonte. Ai e dinte që kishte mbaruar lufta, por kishte vendosur të vdiste. Partizanët e rrethuan, e gjetën mënyrën për ta vrarë.”, thotë Onuzi.
Historiani tregoi se përse komandantët që drejtuan Luftën e Dytë Botërore në Shqipëri, donin që Shqipëria të çliroheshin më 28 nëntor. Sepse, thotë historiani, donin të përsëritej 3 herë historia, që nisi me Skënderbeun, vazhdoi me Ismail Qemalin dhe do mbaronte më 28 nëntor 1944 në Shkodër.
“Veteranë që kanë marrë pjesë në luftën e Shkodrës më kanë thënë që komandantët kishin dëshirë që Shkodra të çlirohej më 28 nëntor, që të përkonte me datën dhe të përsëritej për herë të 3-të historia. Por ishte e pamundur.
Fitorja nuk vinte vetëm me dëshirë. Gjermanët ishin aty në kala e kishin fortifikuar dhe me të gjitha sulmet që bënë partizanët nuk arritën dot që të hynin në qytet. Me datë 28 pasdite filluan që të tërhiqen dhe arsyeja ishte se u hap ura në Mal të zi. Shkodra ishte pika fundore e gjermanëve. Ishin 3000-4000 forca gjermane në Shkodër. Partizanët ishin 6000 mijë. Çlirimi i vërtetë ka ndodhur në mëngjesin e datës 29, kur iku prapavija e fundit gjermane.”, thotë Onuzi në DritareTV./K.C/dritare.net