Si u arratis Altin Ndoci nga Spitali i Durrësit. Ja foto!
Dritare.net

Një nga emrat më të njohur të botës së krimit, Altin Ndoci, është arratisur nga Spitali i Durrësit, ku ishte shoqëruar për vizita mjekësore nga Policia e Burgjeve. Ndoci, i paraburgosur prej vitit 2020 me urdhër të SPAK, u shoqërua nga 5 efektivë, por vetëm dy prej tyre e shoqëruan brenda spitalit.
Sipas të dhënave, ai kërkoi të shkonte në tualet, ku më pas goditi me grusht një efektiv dhe u largua me shpejtësi nga kati i tretë nëpërmjet shkallëve. Një polic që e ndoqi pas qëlloi në ajër, por Ndoci arriti të largohej, ndërsa dyshohet se një Audi A7 i bardhë e priste në parkimin e spitalit, me të cilin u largua në drejtim të Spitallës.

Altin Ndoci, me origjinë nga Puka dhe banim në Tiranë, është arrestuar nga SPAK gjatë operacionit “Plumbi i Artë” dhe rezulton i përfshirë në disa dosje të rënda kriminale, bazuar në dëshmitë e të penduarve të drejtësisë. Edhe pse u shpall i pafajshëm për disa akuza vrasjeje në vitin 2024, ai vijonte të mbahej në paraburgim për çështje të tjera të rënda.
Pas arratisjes, i gjithë zinxhiri drejtues i Burgut të Durrësit është pezulluar, përfshirë drejtorin dhe drejtues të policisë së burgjeve. Ndërkohë, Drejtoria e Burgjeve ka nisur hetim të brendshëm për sqarimin e rrethanave dhe përgjegjësive penale për këtë ngjarje të rëndë sigurie./L.F-dritare.net