
Vrau kunatin pasi abuzoi me vajzën, trondisin hetimet: E reja falsifikoi mesazhet!
Dritare.net
Hetimi për vrasjen e 33-vjeçarit shqiptar Erjon Pelivani në Greqi nga 51-vjeçari Fatmir Tarellari nga Poliçani, pas dyshimeve se ai kishte përdhunuar vajzën e këtij të fundit, kanë marrë një tjetër rrjedhë.
Sipas mediave greke bëhet e ditur se ditën e djeshme në Gjykatën e Larisës vajza 19-vjeçare e autorit të vrasjes pranoi se falsifikoi mesazhet me tekst për të bindur të atin se ishte abuzuar seksualisht nga daja i saj (33-vjeçari që mbeti viktimë).
Fatmir Tarellari akuzohet për vrasje me dashje në gjendje të qetë mendore, për armëmbajtje pa leje dhe për përdorim arme, pasi më 9 janar 2024, me pushkën e tij të gjuetisë, pak jashtë Volosit, pranë një fabrike çimentoje, i ngriti një kurth vdekjeprurës kunatit të tij 33-vjeçar Erjon Pelivani, të cilin e qëlloi duke e plagosur për vdekje, pasi kishte lexuar mesazhet e servirura nga vajza e tij.
51-vjeçari u bind nga vajza e tij se kunati i tij 33-vjeçar e përdhunoi kur ajo ishte 9-vjeçe dhe në vijim.
E gjitha filloi kur 51-vjeçari Tarellari mori një telefonatë nga pronarja e shtëpisë me qira të vajzës së tij studente, e cila i tha se nuk e kishte paguar detyrimet, edhe pse ai i kishte dërguar paratë rregullisht.
Vajza 19-vjeçare thuhet se deklaroi në atë kohë se ishte e detyruar t’ia jepte paratë dajës së saj 33-vjeçar, sepse ai po e shantazhonte duke i thënë se do të publikonte foto të veprimeve të saj të pahijshme, gjatë kohës që e abuzonte seksualisht.
Ndërkohë ditën e djeshme, vajza 19-vjeçare, gjatë dëshmisë së saj pranoi se, për t’u besuar nga i ati se po abuzohej seksualisht, ajo falsifikoi mesazhet SMS që shkëmbente me të dashurin e saj, në një mënyrë të tillë që dukej sikur dërguesi i mesazheve ishte 33-vjeçari, i cili në fund humbi jetën.
Gjyqi filloi me të pandehurin që u shpreh duke thënë “më vjen keq për atë që ndodhi”, duke shtuar se ato ditë “ishin ditët më të këqija të jetës sime kur mësova se çfarë i ndodhi vajzës sime”, për të shtuar më tej se “isha në gjendje shoku”.
Gjatë seancës së disa ditëve më parë, dëshmuan një numër dëshmitarësh, ndërsa gjyqi do të vazhdojë.
Vajza 19-vjeçare, pavarësisht se pranoi falsifikimin e mesazheve, vijon t’i qëndrojë deklaratave të saj se është përdhunuar nga daja i saj 33-vjeçar, i cili mbeti viktimë./dritare.net

















