Ja si po ndihmojnë në luftën me koronavirus, shqiptarët e mrekullueshëm të SHBA!
Dritare.net
Nga Kozeta Turishta
Nju-Jorku vazhdon të paraqesë rrezikun më të lartë të të infektuarve nga Covid-19. Në mbarë Amerikën, bizneset dhe çdo gjë tjetër është e mbyllur. E në këtë sfidë për jetën, shqiptarët më shumë se kurrë po i japin shpresë, mbështetje dhe bujari familjeve, qytetarëve amerikanë, spitaleve, komisariateve të policisë, departamenteve të zjarrfikësve, infermierëve, mjekëve, të moshuarave e çdo individi tjetër që në pamundësi shqiptarët siç u ka hije me bujarinë e zemrën e madhe po ofrojnë ushqim falas.
Nehat Kërkuti, [Nik] një ndër biznesmenët e fuqishëm e të njohur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pronari i shumë restoranteve në Manhattan Nju-Jork, si "Paul's on Times Square" "Uncle Paul Pizza" etj, përgjatë këtyre ditëve të vështira, po qëndron njësoj me heronjtë e tjerë në shërbim të njerëzve në vijën e parë të luftë betejës së këtij virusi duke shpërndarë ushqim falas.
Z.Nehat, së bashku me familjen dhe tre djemtë e tij, po bën një vepër të jashtëzakonshme. Në dispozicion 24 orë ai ka hapur dyert e të gjitha restoranteve të tij ku nëpërmjet shërbimit take out dhe delivery, të gjithë ata që telefonojnë për të porositur ushqim nga shtëpitë, e kudo gjenden, z. Kërkuti po ofron çdo porosi të ushqimeve falas. Gjatë këtyre javësh, ai i është dedikuar këtij misioni fisnik, si një shqiptar me zemër të madhe e bujare. Nik ka tërhequr vëmendjen edhe të medieve amerikane, si televizioni më i fuqishëm i informacionit 'Fox News' në një lidhje të drejtpërdrejtë me gazetaren e njohur Dana Perino, ka transmetuar live nga një prej restoranteve të tij, punën e mirë të z. Nehat. Gazetarja e ka komentuar si një gjest i mrekullueshëm human dhe e ka falënderuar me mirënjohje në emër të qytetarëve. Spitalet kryesore të Manhattan po furnizohen me ushqime të përgatitura nga restorantet e Nehat Kërkutit, për gjithë të palodhurit, bluzat e bardha, mjekë, infermierë e gjithë personelit të spitaleve të ndryshme i është siguruar nga z. Kërkuti shpërndarja e ushqimeve falas derisa kjo situatë të mbarojë. Ai i emocionuar ka thënë për dritare.net se e ndjen me zemër t'i qëndrojë pranë qytetarëve amerikanë në këto ditë të mjerueshme.
“Do të vazhdoj t'u shërbejë deri në momentin e fundit, të gjithë atyre që po vënë jetën e tyre në rrezik për të shpëtuar jetën e njerëzve nga ky virus.”, thotë Kërkuti.
Ndërkohë, me humanizmin e tij, po i shërben me ushqim e pije edhe zjarrfikësve të departamentit kryesor të zjarreve në Nju-Jork, gjithashtu dhe policisë së Nju-Jorkut, oficerëve, agjentëve dhe personelit të departamentit kryesor policor në Manhattan.
Shqiptarët janë solidarizuar në emër të mirësisë ndaj njeri- tjetrit pa dallim kombësie, duke treguar shembullin më të mirë për amerikanët. Gjatë gjithë kohës jam në kontakt me miqtë e mi që kanë zgjedhur të jenë në shërbim të situatës.
Kam kontaktuar për dritare.net me Jetmir Agën, një djalë i ri shkodran i cili jeton dhe vepron në Nju-Jork si menaxher i përgjithshëm i një prej restoranteve më të mira në Nju-Jork, dhe në gjithë Amerikën "Mastro's Steakhouse".
Ai thotë se restoranti është i hapur vetëm për t'i shërbyer qytetarëve dhe të gjithë institucioneve në gatishmëri. Është një krenari e madhe teksa sheh shqiptarët në këtë mision të përbashkët e djem të rinj, si Jetmiri i cili është një shembull dhe krenari për komunitetin shqiptaro-amerikan.
Burim Zuta, një tjetër personalitet dhe humanist i madh i komunitetit shqiptar, një biznesmen i suksesshëm, njihet për veprimtaritë e tij të ndryshme ndër vite në Nju-Xhersi dhe në Nju-Jork. Ai vullnetarisht po ndihmon të prekurit nga ky virus jo vetëm me ushqime falas nga restorantet e tij, por ka bërë të mundur shpërndarjen e një numri të madh maskash, te qytetarët e moshave të vjetra që e kanë të pamundur të furnizohen me ushqime, z.Zuta, po ofron shërbimin falas të take out, dhe delivery, për të gjithë qytetarët, mjekët, zjarrfikësit, policët të shtetit të Nju-Jorkut dhe Nju-Xhersit.
"Miku i mirë njihet në ditë të vështirë."
Kështu shprehet Burimi teksa krenohet për këtë iniciativë personale ku ka angazhuar dhe djalin e tij 17-vjeçar Durim Zuta, duke i trashëguar traditën e bukur të bamirësisë së familjes së tij edhe fëmijëve.
Ai tregon se ky virtyt bujarie e ka prejardhjen që nga të parët e tij. Ndër të tjera, Zuta tregon programin e tij për javën në vijim ku do t’u shërbejë me ushqim falas 2 spitaleve më të njohura "Hackensack Hospital” dhe “Wayne Hospital” ndërkohë është në biseda për të bashkëpunuar po falas edhe për një tjetër spital të madh në Manhattan, “Port Authority Police” dhe NYPD.
"Ashtu sikurse punonjësit e rendit dhe shëndetësisë po rrezikojnë jetën e tyre për të na shërbyer ne, ashtu dëshiroj t'ua kthej me mbështetje e të jem me ta deri sa kjo krizë botërore të kalojë e shpresoj të jetë sa më e shpejtë zhdukja e virusit, por premtoj se sa të kem mundësi do t’u qëndrojë afër.", thotë Burimi
Burim Zuta, ka ndihmuar jo vetëm me ushqime falas, por edhe financiarisht ka kontribuar për të prekurit.
Edi Drishti, shqiptari i lindur në Amerikë, komandant i Komisariatit të Policisë Hoboken/ Nju-Xhersi, së bashku me oficerin e njohur të policisë amerikane, shqiptarin, Elton Shametaj, po bëjnë një punë të shkëlqyer, në gatishmëri të plotë ndaj rendit, dy heronj shqiptarë që rrezikojnë jetën e tyre në vijën e parë të kësaj beteje për t'i shërbyer qytetarëve./dritare.net
]