Shoqërohet 14-vjeçar gjatë protestës, Policia: U ndal për hedhje gurësh!
Dritare.net
Pas protestës së dhunshme të Partisë Demokratike, 23 militantë protestues janë shoqëruar në policisë, ndërsa të paktën 11 efektivë kanë mbetur të lënduar dhe kanë marrë ndihmë mjekësore në spital.
Mes të shoqëruarve në Komisariatin numër 1 ishte dhe një i mitur i moshës 14-vjeçare, që fillimisht dyshohej se ishte 10 vjeç, i cili sipas bluve gjatë protestës është konstatuar duke gjuajtur me gurë dhe sende të forta në drejtim të shërbimeve të policisë.
Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë
Në lidhje me shoqërimin e një të mituri në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, sqarojmë se gjatë veprimeve të shërbimeve të Policisë për parandalimin e sjelljeve dhe veprimeve të rrezikshme, në tubimin e mbajtur ditën e sotme, është konstatuar një i mitur duke gjuajtur me gurë dhe sende të forta në drejtim të shërbimeve të Policisë. Për këtë arsye, i mituri është marrë për verifikim, nga ku rezultoi të ishte i moshës 14 vjeç.
Theksojmë se shtetasi i mitur në asnjë moment nuk është mbajtur në ambiente të përbashkëta me persona të rritur të ndaluar apo të shoqëruar, por ka qëndruar në një ambient të përshtatshëm dhe është trajtuar me kujdes, në përputhje me parimet dhe garancitë ligjore për të miturit. Ai është lënë i lirë menjëherë pas mbërritjes së përfaqësuesit ligjor.
Në lidhje me veprimet e punonjësve të Policisë gjatë trajtimit të këtij rasti, është njoftuar menjëherë Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, si dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, për verifikimin e plotë të rastit.