
SHBA ndërpret fondet ndaj Shqipërisë! Po SPAK? Flet Iris Luarasi!
Dritare.net
Iris Luarasi, drejtuese e Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit në FHF, gazetare dhe analiste, e ftuar në emisionin "Dekalog" në DritareTv nga gazetari Roland Qafoku, ka komentuar informacionet e fundit që flasin për një urdhër të Presidentit amerikan Donald Trump, për ndërprerjen e menjëhershme të financimeve për fondacione dhe organizata në Shqipëri të cilat financohen nga SHBA, siç është SPAK.
Luarasi ka sqaruar se aktiviteti i SPAK-ut nuk do të preket nga ky urdhër dhe se këto zhvillime nuk kanë lidhje me drejtësinë.
Luarasi sqaroi se lajmet për shkrirjen e SPAK-ut nuk janë të vërteta, duke pohuar se informacionet që ka janë të sigurt. Ajo përmendi gjithashtu udhëzimet që kanë marrë nga organizata që ajo drejton, e cila ka lidhje me ambasadën amerikane, duke nënvizuar se ndalimi i disa aktiviteteve nuk ka të bëjë me drejtësinë.
“Altin Dumani, për momentin, është heroi i ngjarjeve në drejtësi që po ndodhin në Shqipëri. Statistikat tregojnë se SPAK-u është institucioni më i besueshëm në vend, me një mbështetje prej pothuajse 76%.
Në Shqipëri ndodh shpesh që politikanët hyjnë në politikë si njerëz të thjeshtë dhe dalin prej saj shumë të pasur. Ndërsa në Amerikë, të cilën e kam si model, kjo gjë nuk ndodh. Thelbi i SPAK-ut është i tillë që askush nuk mund t’i shpëtojë drejtësisë përgjithmonë. Kjo është një gjë e drejtë, dhe shqiptarëve u bëhet zemra mal kur shohin se më në fund po veprohet.
Sa i përket lajmeve për shkrirjen apo ndalimin e SPAK-ut, ato nuk janë të vërteta. Për këtë kam informacion të sigurt, pasi organizata që drejtoj ka lidhje me ambasadën amerikane dhe kemi aktivitete të pezulluara për 90 ditë. Në udhëzimet që kemi marrë, në asnjë rresht nuk përmendet fjala “drejtësi”.
Pezullimet prekin organizatat e financuara nga shteti amerikan dhe do të mbikëqyren për çdo shkelje të mundshme. Megjithatë, mendoj se këto aktivitete do të rikthehen pas një periudhe të caktuar.
Fushat që do të preken sipas urdhrit ekzekutiv janë: Diversiteti, barazia, pjesëmarrja, aksesi. Pra, jo drejtësia.”-tha Iris Luarasi E.P-dritare.net

















