
Serbët na dëbuan nga shtëpitë. Si na pritën shqiptarët ne, 13 mijë refugjatët e Kosovës!
Dritare.net
Abaz Osmani, ish-refugjat i Kosovës në Korçë tregoi sot në emisionin Shqip nga Rudina Xhunga në DritareTV rrugëtimin e vështirë që e solli në Shqipëri që nisi kur NATO-ja filloi bombardimin kundër forcave serbe në Kosovë. Arritja e tyre në Lozhan të Korçës në 1999-ën, i paraprin një situatë dyjavore ngujimi në një apartament në Prishtinë, 17 veta në dy dhoma gjumi, pa mundësi për të blerë as bukë, frika e madhe nga hakmarrja serbe, dëbimi nga apartamenti, treni si i Auschwitz-it, kampi çnjerëzor i Bllacës në kufirin Kosovë-Maqedoni, hyja në autobusë maqedonas, arritja në Shqipëri dhe disa që shpresonin se po i dërgonin në Greqi. Zoti Osmani tregon si i pritën korçarët në një stadium të madh dhe Shqipërinë që gjetën që ishte shumë ndryshe nga ajo që ata kishin në mendje prej kohësh.
Ndiqeni rrëfimin e zotit Abaz Osmani për gazetaren Rudina Xhunga!
“Më datën 24 mars 1999 kam qenë në apartament timin në Prishtinë dhe raketën e parë që ka ardhur nga Deti Adriatik e kam parë me sytë e mi. Ka qenë ora tetë e katër minuta e mbrëmjes dhe ra në kazermat ushtarake serbe. Filluan bombardimet e NATO-s. Unë e kam pasur fqinj Ibrahim Rugovën. Ai ka qenë në kat të shtatë, unë në të tetin. Kur pashë raketën që po vinte nga Aeroplanmbajtëset që ishin në Adriatik, u duk sikur unë jam ajo bombë. Thashë: Dua t’i shkatërroj serbët. Nuk e harroj atë ndjenjë edhe pse ka kaluar çerekshekulli. Kur ra raketa mbi kazermat serbë shpërthimi qe aq i madh sa u thyen xhamat e apartamentit tonë nga bombardimet. Ikëm dhe shkuam në apartamentin e vëllait ku qëndruam 17 veta në dy dhoma gjumi. Në datë 5 prill erdhi policia serbe dhe na dëboi nga banesa. Shkuam në këmbë në stacionin e trenit. Hipëm në trenin që dukej si treni i Auschwitz-it të kohës së nazistëve. Shkuam në Bllacë, aty ishte një kamp, ishte dhe ushtria maqedonase dhe serbe. Gjatë rrugës shihnim shtëpi të djegura, kufoma dhe na i morën të gjithë dokumentet personale. Një njeri pa dokumente është i humbur. Ishim krejt pa identitet. Në datën 5 qëndruam në Bllacë, të nesërmen u zbraz kampi sepse kushtet higjienike ishin të këqija dhe ekzistonte frika e ndonjë epidemie. Ne nuk kemi hequr keq për ushqim falë vëllezërve tanë nga Maqedonia që na sollën ushqime. Hipëm në autobus, ishin marrë rreth 200 autobusë private. Isha afër shoferit dhe e pyeta ku po na çoni: “Në Strugë!”, tha. Kur hymë në Shkup e pamë që nuk po shkonte drejt Strugë, por drejt Vardarit. Na çuan na Vardar. U kthyem prej aty dhe shkuam në Manastir. Serbët janë shumë të këqij, por maqedonasit që unë u them bullgarë, janë më të këqij. Nuk donin t’i çonin shqiptarët as në Tetovë, as në Gostivar, as Kërçove se kishin frikë mos ndryshon struktura e popullsisë. Ata janë pakicë në shtetin e vet, se më shumë janë shqiptarë.
Ne ishim rreth 13 mijë vetë që na futën në Shqipëri. Disa i çuan në Korçë, disa në Pogradec, e Dardhë e në vende të tjera. Për shkak se situata ishte emergjente, na grumbulluan në stadiumin e Korçës, na futën në ca kamionë ushtarakë, pluhur, vapë, të lodhur, por ishim të sigurt. Një vajzë e vogël korçare, më kujtohen çizmet e saj të klasifikuar, mbante një bukë në dorë, dëshironte t'ia jepte dikujt. Ma jep mua, i thashë, dhe ende e kujtoj fytyrën e saj të gëzuar.
Si e njohëm Shqipërinë?
Neve në Kosovë kemi pasur një imazh të Shqipërisë kopsht me lule, rregull e pastërti, pasuri. Ne e mendonim Shqipërinë si një shtet model ideal. Dhe në vitin 1999, Kosova pa një tjetër Shqipëri. Gjatë viteve ‘90 ka pasur shkëmbime njerëzish, informacionesh dhe ne kuptuam që Shqipëria nuk ishte kopsht me lule, por këto ishin shkrime gazetash dhe histori të rralla individuale, sepse pak njerëz kanë ardhur në Shqipëri, gjatë atyre viteve. Në 1999-ën ne u njohëm realisht, si komb.
Ne, shumica e refugjatëve kosovarë, jetuam në shtëpitë e banorëve të Lozhanit. Na morën nëpër shtëpi, hanim me ta, flinim me ta, shikonim televizor me ta. Sikur shkon te kushërinjtë. Ne nuk ishim refugjatë, por mysafirë. Dhe kur e shoh këtë, sot pas 25 vjetësh, më duket më e madhe,. Çfarë vepre e madhe e njerëzimit. Sepse kjo nuk është vepër kombëtare. Shqiptarët nuk treguan vetëm solidaritet nacional, të tillë çfarë e tregon Shkodra për Vlorën, në një moment emergjence, sepse po e përsëris, ne njiheshim vetëm nga historia. Unë them se na pranuan si njerëz, së pari. Mikëpritja shqiptare është moment sipëror civilizues i popullit shqiptar në Shqipëri dhe Maqedoni, por edhe Preshevë e Ulqin dhe duhet të njihet si i tillë, jo vetëm nga ne, në përvjetorë të caktuar, por nga i gjithë njerëzimi.”, tregon zoti Abaz Osmani për gazetaren Rudina Xhunga./K.C/dritare.net

















