
Rrëfimi rrëqethës. Si më shpëtoi trafiku nga vdekja!
Dritare.net
Bhoomi Chauhan kujton se ishte e zemëruar dhe e zhgënjyer. Trafiku i rënduar i kishte vonuar udhëtimin me makinë drejt aeroportit të Ahmedabad – aq sa humbi fluturimin e saj të Air India për në Londër vetëm për 10 minuta.
Znj. Chauhan, studente e administrimit të biznesit që jeton në Bristol me bashkëshortin, ishte për pushime në Indinë perëndimore.
28-vjeçarja duhej të kthehej në shtëpi me fluturimin AI171 të enjten, i cili u rrëzua pak pas ngritjes, duke vrarë 241 persona në bord dhe disa të tjerë në tokë.
Por pasi mbërriti në aeroport më pak se një orë para nisjes, stafi i linjës ajrore nuk e lejoi të hipte në avion.
“U zemëruam shumë me shoferin tonë dhe e lamë aeroportin me zemërim,” kujton ajo. “Isha shumë e zhgënjyer.”
“Ishim ulur diku për të pirë çaj dhe, ndërsa flisnim me agjentin e udhëtimit për mënyrën se si mund të merrnim rimbursimin e biletës… aty më erdhi një telefonatë që avioni ishte rrëzuar.”
Duke folur për shërbimin në gjuhën gujaratisht të BBC-së, ajo thotë:
“Kjo është një mrekulli e plotë për mua.”
Znj. Chauhan thotë se arriti në aeroport në orën 12:20 me orën lokale, 10 minuta pas nisjes së procesit të imbarkimit.
Bileta e saj elektronike, të cilën e ka parë BBC News, tregonte se i ishte caktuar vendi 36G në klasën ekonomike.
Megjithëse kishte bërë check-in online, ajo thotë se stafi i Air India nuk e lejoi ta përfundonte procesin në aeroport.
Ajo kishte udhëtuar nga Ankleshwar – 201 km në jug të Ahmedabadit, por u bllokua nga trafiku në qendër të qytetit.
“Kur humba fluturimin, u ndjeva e dëshpëruar. Mendimi i vetëm që kisha në kokë ishte: ‘Nëse do të kisha nisur pak më herët, do të kisha hipur në avion’,” thotë ajo.
“I luta stafit të aeroportit të më lejonin të hyja pasi isha vetëm 10 minuta [me vonesë]. U thashë që jam pasagjerja e fundit, ju lutem më lini të hipi në avion – por ata nuk më lejuan.”
Fluturimi për në Gatwick u nis sipas orarit të enjten në mesditë, por dukej se pati vështirësi për të marrë lartësi dhe u rrëzua rreth 30 sekonda pas ngritjes.
Avioni goditi një zonë banimi, duke vrarë 241 pasagjerë dhe 12 anëtarë të ekuipazhit. Të paktën tetë persona në tokë janë konfirmuar të vdekur deri tani.
Vetëm një pasagjer, shtetasi britanik Vishwashkumar Ramesh, mbijetoi dhe u trajtua në spital për plagë.
Në bord kishte shtetas indianë, portugezë dhe kanadezë./L.F-dritare.net

















