Rama në Abu Dhabi: Bashkë me Emiratet dhe Italinë do të furnizojmë Evropën
Dritare.net

Kryeministri Edi Rama, i cili ndodhet në Emiratet e Bashkuara Arabe, mori pjesë në panelin “Korridoret e Energjisë për një të Ardhme të Qëndrueshme”, në kuadër të Javës së Qëndrueshmërisë 2026, të organizuar nën kujdesin e Presidentit Sheikh Mohammed bin Zayed Al Nahyan.
Gjatë fjalës së tij, Kryeministri Rama theksoi se Shqipëria prodhon aktualisht 100% të energjisë së saj nga burime të rinovueshme, kryesisht hidrike, ndërsa nënvizoi investimet e dekadës së fundit në energjinë diellore dhe të erës për të reduktuar varësinë nga kushtet klimatike. Ai deklaroi se synimi është që deri në fund të vitit 2028 vendi të arrijë sovranitet të plotë energjetik dhe të mos ketë më nevojë për importe.
Rama vuri në dukje rëndësinë e bashkëpunimit strategjik mes Shqipërisë, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Italisë, duke e cilësuar këtë partneritet si një projekt vizionar që synon jo vetëm sigurinë energjetike të rajonit, por edhe eksportin e energjisë së gjelbër drejt Bashkimit Europian përmes projekteve të mëdha ndërlidhëse.
"Ambicia jonë është që së bashku me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Italinë të kemi një bashkëpunim tripalësh, të krijojmë një bazë të ngarkesës në Shqipëri, Dr. Sultan, Zoti e bekoftë, po synon që të mbërrijmë në tre giga dhe përmes kabullit ndërlidhës me Italinë, t’i shërbejmë Evropës me energji të gjelbër dhe së bashku me miqtë tanë arabë, të bëjmë para’ për t’ia shitur pra Evropës."
- Është e jashtëzakonshme që një si projekt 1 miliardësh të ndodhë.
Kryeministri foli gjithashtu për përdorimin e teknologjisë digjitale dhe inteligjencës artificiale në Shqipëri, duke theksuar se 95% e shërbimeve publike ofrohen online dhe se inteligjenca artificiale po përdoret për përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Europian, si edhe për procese të tjera administrative, përfshirë prokurimin publik.
Pjesëmarrja e Kryeministrit Rama në këtë samit u përqendrua në rolin e Shqipërisë në tranzicionin energjetik, bashkëpunimin ndërkombëtar dhe përdorimin e teknologjisë si faktor kyç për zhvillim të qëndrueshëm./L.F-dritare.net