
Rama: Historia e Shqipërisë si ajo e Kamzës, nga ferrat u bë pyll i bukur
Dritare.net
Kryesocialisti Edi Rama u takua pasditen e sotme me të rinjtë e Kamzës, në kuadër të fushatës elektorale. Gjatë fjalës para të rinjve, Rama tha se historia e Shqipërisë, si ajo e Kamzës, nga ferrat u bë pyll i bukur.
“Sot jemi 2 vite mbrapa dhe gjithçka, ngado të shohësh dhe në çdo drejtim të kërkosh gjen se është ku e ku me çfarë ishte dhe kupton se sa shumë vite u humbën qorrazi, se sa shumë vite u humbën nga besnikëria e verbër ndaj një partie a thua se vota është një biletë për të shkuar në stadium dhe a thua se besimi për t’ia dhënë votën dikujt, është një fanellë tifozi për një skuadër. Duan që të ndryshojë vendi ku jetojnë dhe duan që të jetë ndryshe. Nëse ka vend në Shqipëri ku realiteti është libër, tek shërbimi, gjelbërimi, ndriçimi, pastërtia e kështu me radhë, është pikërisht Kamza, për të parë sesi duke ia ngarkuar detyrën një njeriu të duhur, bëhet e mundur që shumë gjëra të bukura që nukkanë ndodhur më parë, të ndodhin e të bëhen realitet. Kur isha më parë këtu me ju nuk ishte kështu ky park, por të jeni të bindur se në fund të dekadës nuk do jetë kështu, por do jetë siç është ky park sot krahasuar me çfarë ishte, zonë komplet djerrë, e braktisur, ku gjithkush mundohej të kapte nonjë copë, ku kishte ferra e dhera, e nesër do të jetë destinacion i jashtëzakonshëm. Ashtu është ekzaktësisht e ngjashme edhe Shqipëria, si ky park, me këtë park, historia e këtij parku është historia jonë. Siç ishte parku më parë është Shqipëria që gjetëm dhe siç është sot është edhe vendi, që ka akoma, infrastrukturë që zhvillohet, filiza që janë mbjellë e po rriten, por ka shumë hapësirë tjetër për të mbjellë, për t’u bërë një pyll i bukur.", tha Rama./K.C/dritare.net

















