
Rama: Furnizim 24 orë me ujë deri në 2030. Burg për ata që vjedhin ujin
Dritare.net
Kryeministri Edi Rama tha se faza e dytë e reformës në sektorin e ujit do të ndjekë modelin e suksesit të energjisë elektrike, me objektivin që deri në vitin 2030 furnizimi me ujë të mos jetë më problem për qytetarët.
“Ashtu si furnizimi me energji nuk është më pasiguri apo ankth, kështu do të jetë edhe furnizimi me ujë. Ka ardhur koha që ta garantojmë këtë përmes një operatori kombëtar,” tha Rama, duke shtuar se struktura e re do të bashkojë 15 shoqëritë ekzistuese të ujësjellësit.
Kreu i qeverisë theksoi se do të vendoset “vija e kuqe” mes atyre që paguajnë dhe abuzuesve, ndërsa paralajmëroi masa të rënda ligjore. “Ai që paguan ka të drejtë të kërkojë shërbim. Ndërsa ai që e vjedh ujin duhet të penalizohet me heqje lirie, njësoj siç ndodhi me ata që vjedhnin energjinë elektrike,” tha Rama.
Ai njoftoi gjithashtu ngritjen e një Task Force për ujin, që do të ndëshkojë abuzuesit dhe do të garantojë trajtim të drejtë për shumicën e qytetarëve që paguajnë rregullisht.
“Nuk mundet që shumica të paguajë për pakicën që merr ujin qyl. Ky është një mall jetik dhe ka koston e vet,” u shpreh kryeministri./L.F-dritare.net

















