
Pse nuk futen në Shqipëri serrat me teknologji të lartë, si në Kanada!
Dritare.net
Specialisti i bujqësisë në Shqipëri edhe Kanada zoti Arben Tufa i ftuar në Shqip nga Rudina Xhunga në DritareTv tregon se përse në vendin tonë nuk i sjellin serrat me teknologji të lartë siç janë në shtetin kanadez. Zoti Tufa tregon se në Shqipëri si në Meksikë nuk pranojnë një plan biznesi, por komunikimet për rritjen e bimëve bëhen akoma me llafe në vesh, çfarë bime eci apo jo në treg. Plus thotë ai, është edhe niveli i lartë i korrupsionit. Këto mentalitete, shprehet bujku, pengojnë zhvillimin, rritjen dhe njerëzit që sjellin teknologji shumë të zhvilluar në vendin tonë.
“Pse nuk i sjellin në Shqipëri mekanizmat e serrave që janë në Amerikën e Veriut. Kjo është pyetje 1 milion dollarëshe. Unë kam udhëtuar kudo në Evropë dhe them se mbase është mentaliteti. Unë e kam shëtitur gjithë Sicilinë dhe kishte serra pafund. Por ato nuk janë serra, janë tunele që përshpejtojnë rriten e bimëve, por jo hight teknology. Janë modeste. Atje ku unë punoj këto serra kanë qenë para 30 vjetësh.
Unë shkova në një mbledhje që flitet për investimet. Ishte një grup njerëzish nga bankat që na thanë se ato serra që kishim atje, të investonim për t’i bërë edhe në Meksikë. Renditën avantazhet edhe në fund një disavantazh: Asnjë njeri nuk pranon plan biznesi. As nuk e besojnë. Rritja e bimëve atje bëhet me komunikim rrëze veshit. Çfarë mbolle, çfarë shkoi vitin që kaloi. Plus niveli korruptiv fillon nga poshtë dhe shkon lart. Ai foli për Meksikën, por kështu po ndodh në Shqipëri. Këto quhen mentalitete që pengojnë zhvillimin, rritjen dhe njerëzit që sjellin teknologji shumë të zhvilluar. Çfarë kanë ata më shumë se ne? E kemi diellin, kemi ujin. Pozicioni gjeografik i Shqipërisë që bën pjesë në pellgun e Mesdheut. Ky është një favor shumë i madh sepse klima e Mesdheut konsiderohet më e mira e botës. Ndaj mesazhi im është që duhet të lëvizin njerëzit.”, tha zoti Tufa në DritareTV./K.C/dritare.net

















