Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Pse arroganca është ngjitëse dhe e rrezikshme për shoqërinë!

Pse arroganca është ngjitëse dhe e rrezikshme për

Burimi: BBC

Në fund të viteve 1980, psikologu James Reason donte të kuptonte më shumë në lidhje me arsyet e aksidenteve rrugore. Ai doli në rrugët e Mançesterit, në Mbretërinë e Bashkuar dhe kërkoi nga 520 shoferë, të tregonin sa herë kishin kryer shkelje të caktuara.

Pyetjet nisnin që te përdorimi i pasqyrave, nëse ishin të kujdesshëm t'i shikonin gjithmonë para marrjes së një veprimi, apo nëse kishin hyrë në korsinë e gabuar ndërsa i afroheshin një kryqëzimi. Përveç listës së gabimeve dhe shkeljeve, pjesëmarrësve iu kërkua gjithashtu të vlerësonin aftësitë e tyre në timon, në krahasim me të tjerët, dhe nëse ishin shoferë më të mirë apo më të këqij se mesatarja, informon dritare.net.

Duke pasur parasysh kohën e madhe që shumë njerëz kalojnë në timon, mbase do mendonit apo shpresonit se një pjesë e mirë e tyre, do të ishin të vetëdijshëm për aftësitë e tyre si shoferë. Gabim! Nga 520 shoferë që u pyetën, vetëm pesë prej tyre mendonin se ishin më të dobët se mesatarja. Pra më pak se 1%. Pjesa tjetër, madje edhe drejtuesit që vazhdimisht bënin gabime, informon dritare.net, e konsideronin veten po aq të mirë sa të tjerët, ndërsa shumë menduan se ishin shumë më të mirë. Në thelb, ishte një mashtrim masiv, që i bëri ata plotësisht të verbër ndaj dështimeve të tyre.

Pse arroganca është ngjitëse dhe e rrezikshme për

Tre dekada më vonë, psikologët kanë dokumentuar nivele të ngjashme të vetëbesimit për aftësi të ndryshme. Ne priremi të mendojmë se jemi më inteligjentë, krijues, të besueshëm, të vëmendshëm, të ndershëm dhe miqësorë se shumica e njerëzve. Një fenomen që shpesh njihet si "efekti mbi mesataren".

"Provat janë jashtëzakonisht, madje jashtëzakonisht të forta", thotë Ethan Zell, një profesor i psikologjisë në Universitetin e Karolinës së Veriut në Greensboro, i cili kohët e fundit kreu një meta-analizë të studimeve të deritanishme. "Nëse u jepni njerëzve një pyetësor ku ata të vlerësojnë veten e tyre në krahasim me nivelet e mesatares, pothuajse të gjithë mendojnë se janë mbi mesataren në çdo drejtim. ”

Pasojat mund të jenë serioze. Vetëbesimi i tepërt i aftësive tona si shoferë, mund të çojë në situata të rrezikshme dhe aksidente të rënda. Në mjekësi, mund të çojë në gabime fatale diagnostikuese; në ligj, kjo mund të çojë në akuza të rreme dhe gabime në drejtësi. Dhe në biznes, arroganca menaxheriale për kompanitë, do të thotë një hap më afër falimentimit, informon dritare.net.

Vetëbesimi i tepërt shpesh njihet si "nëna e të gjitha paragjykimeve". Shkencëtari Daniel Kahneman, fitues i çmimit Nobel, tha se nëse ai do të kishte një shkop magjik që mund të ndryshonte një gjë në lidhje me psikologjinë njerëzore, do të eliminonte kompleksin tonë të superioritetit. Mania për të qenë apo për t'u dukur më të mirë se të tjerët.

Një hulumtim interesant nga Joey Cheng, një profesore e psikologjisë në Universitetin e York-ut, tregon se besimi i tepërt mund të jetë ngjitës.

"Nëse keni qenë shumë pranë një personi me shumë vetëbesim, atëherë keni më shumë të ngjarë të mbivlerësoni veten," thotë ajo. Është një tendencë që mund të shkaktojë përhapjen e të menduarit të rrezikshëm në mënyrë të rrezikshme, përmes një grupi njerëzish.

Cheng thotë se ajo ishte frymëzuar nga sjelljet në Wall Street, ku arroganca duket se është mjaft e përhapur, informon dritare.net. Nëse e krahasojmë këtë sjellje u shpreh ajo me grupe të tjera, përshembull me mësuesit, nuk është e njëjta situatë. Duke marrë shkas nga kjo ajo mendoi se grupe të caktuara njerëzish, mund zhvillonin egon e fryrë te të tjerët.

Studime të mëparshme në fakt e kanë treguar këtë, si në rastin e bankierëve. Vetëbesimi i tyre rritet me kohën, që do të thotë se ata 'imitojnë' sjelljen e kolegëve të tyre.

Cheng, zhvilloi një eksperiment me dy faza. Së pari pjesëmarrësve iu kërkua të shikonin disa foto njerëzish dhe të përpiqeshin të hamendësonin personalitete të ndryshme bazuar në shprehitë e tyre. Këtë, ata duhet ta bënin individualisht. Më pas për të vlerësuar veten, pjesëmarrësve iu kërkua të vlerësonin perceptimet e tyre, krahasuar me pjesën tjetër të grupit. Më pas pjesëmarrësit duhej të bënin të njëjtën detyrë, por këtë herë në çifte.

Ajo zbuloi se pjesëmarrësit më modestë, kishin më shumë të ngjarë të rrisnin besimin në vete, pasi ishin konsultuar me partnerët.

"Ishte e jashtëzakonshme", thotë Cheng.

Rezultatet e eksperimentit të dytë ishin edhe më të habitshme. Edhe një herë, ata duhej të punonin në një detyrë të thjeshtë perceptuese, ku duhet të supozonin për peshën e dikujt, nisur nga fotoja e tij. Kësaj here, pjesëmarrësit nuk punuan në çifte, por u njohën më parë me disa nga përgjigjet e pjesëmarrësve. Në fakt, përgjigjet ishin të rreme qëllimisht për të parë sa do ndikoheshin ata nga ato përgjigje .

Pjesëmarrësit thjesht imituan sjelljet e partnerëve. Të qenit i ekspozuar ndaj dikujt që kishte tepër vetëvlerësim, ndikoi në përgjigjet e tyre.

Kurdoherë që mburreni pa bazë për aftësitë tuaja, ju mund të ndikoni te vetëbesimi i gjithë rrethit tuaj shoqëror.

Hulumtime të tilla na ndihmojnë të kuptojmë origjinën e vetëbesimit të tepërt dhe pse është më i madh në disa grupe sesa te disa të tjera.

Pse arroganca është ngjitëse dhe e rrezikshme për

Cheng thotë se vetëm duke qëndruar me dikë, ka më shumë të ngjarë të sillesh si ai/ajo dhe të mendosh njësoj.

Përshembull, le të mendojmë se ju jeni një financier, që sapo keni nisur punën në bankë. Mbase ndjeheni të ndrojtur si fillim por ndërsa përfshiheni më shumë në atë mjedis, shihni se disa njerëz kanë tendencë të bëjnë deklarata mburrëse. Po kështu transmetojnë siguri. Dhe ti, nga ana tjetër, mund të bëhesh një klon i atij personi, duke u munduar që ta imitosh.

Cheng merr në shembull kompaninë e energjisë Enron. Korporata dikur ishte kompania e shtatë më e madhe në SHBA, por ajo deklaroi falimentimin në 2001 pas raporteve të mashtrimit dhe korrupsionit. "Kultura e arrogancës" së Enronit tani është famëkeqe. Një ish-punonjës thotë se "Nuk ka dyshim që njerëzit e Enronit mendonin me arrogancë se ishin më të zgjuar se të gjithë të tjerët", informon dritare.net.

Duke pasur parasysh këto rezultate, Cheng sugjeron që organizatat të rimendojnë llojet e sjelljeve që nxisin te punonjësit e tyre aktualë.

"Udhëheqësit dhe menaxherët duhet të kenë shumë kujdes për efektet e individëve të caktuar te të tjerët, sepse vetëbesimi i tyre i tepërt mund të përhapet gjerësisht".

Në nivelin personal, të paktën mund t'i kushtoni pak më shumë vëmendje qëndrimeve tuaja - duke përfshirë edhe perceptimin tuaj për mënyrën se si ngisni makinën. Kurdoherë që mburreni pabazë për aftësitë tuaja, ju mund të rrisni vetëbesimin në gjithë grupin tuaj shoqëror, duke mbështetur 'mashtrimin masiv'./L.F-dritare.net