Protesta e Berishë/ Rama: PD e vetmja parti parlamentare në Europë që ka program dhunën!
Dritare.net
Kryeministri Edi Rama ka reaguar mëngjesin e sotëm për protestën e dhunshme që Sali Berisha thirri dhe mbajti ditën e djeshme në Tiranë, ku pas disa fjalimeve në podiumin e ngritur në Bulevardin "Dëshmorët e Kombit", militantët e tij filluan të hedhin breshëri molotovësh dhe fishekzjarre drejt Kryeministrisë, për t'u zhvendosur më vonë me akte vandalizmi edhe para Kuvendit
Si pasojë e agresionit të mbështetësve të Partisë Demokratike, krahas dëmtimit të pronës publike dhe institucioneve shtetërore, të paktën 11 efektivë policie u plagosën dhe u dërguan për mjekim në Spitalin e Traumës në kryeqytet.
Numri një i qeverisë shkruan se në 100 vitet e fundit ekziston "vetëm një parti parlamentare në Europë, që të ketë në programin e aktivitetit të saj si pjesë të pandarë të ekzistencës së vet qysh nga lindja, ushtrimin e dhunës, shkatërrimin e pronës, sulmin ndaj godinave të institucioneve, deri edhe ndaj godinës së vet, mobilizimin e paramilitarëve, të cilët deri dje ishin çeta e liderit shpirtëror, kurse tanimë janë thjesht mercenarë të rekrutuar me lekë nga rrugaçët e lagjeve, që veshin maska apo fshehin fytyrën pas tabelave për të mbaruar punë me hedhjen e molotovëve pa u identifikuar nga kamerat", duke iu referuar Partisë Demokratike të udhëhequr nga Berisha.
Postimi i plotë i kryeministrit Edi Rama:
Ka në Europë protestues, anarkistë, ekologjistë, ekstremistë të djathtë a të majtë, studentë, anti-globalistë, tifozë huliganë, grupime lloj-lloj që dalin në rrugë për arsyet e tyre, maskohen, armatosen me molotovë dhe thyejnë e djegin, duke plagosur punonjës policie e shkatërruar prona…
Po qysh nga koha e partive famëkëqia të 100 vjetëve më parë në Gjermani e Itali, ka vetëm një parti parlamentare në Europë, që të ketë në programin e aktivitetit të saj si pjesë të pandarë të ekzistencës së vet qysh nga lindja, ushtrimin e dhunës, shkatërrimin e pronës, sulmin ndaj godinave të institucioneve, deri edhe ndaj godinës së vet, mobilizimin e paramilitarëve, të cilët deri dje ishin çeta e liderit shpirtëror, kurse tanimë janë thjesht mercenarë të rekrutuar me lekë nga rrugaçët e lagjeve, që veshin maska apo fshehin fytyrën pas tabelave për të mbaruar punë me hedhjen e molotovëve pa u identifikuar nga kamerat!
Tanimë këto farë protestash me pisllëkun që krijojnë në bulevard, ngjajnë si jashtëderdhja në rrugë e plakut të lajthitur që i organizon… Degjenerim i pandalshëm dhe dëshpërim i pangushëllueshëm!
Të shkuara punonjësve të policisë që u plagosën e lënduan nga kjo lukuni e verbër????