Prezanohet “Poli i Drejtësisë”, kampusi i ri i institucioneve gjyqësore
Dritare.net

Sot u prezantua programi për konkursin ndërkombëtar të Qendrës së Drejtësisë, një pol i ri urban i godinave të sistemit të drejtësisë, si domosdoshmëri për mbështetjen e mëtejshme të pushtetit gjyqësor.
Kampusi i drejtësisë përbën investimin më të madh dhe më modern të shtetit shqiptare në funksion të një qëllimi të vetëm, ofrimin e drejtësisë për të gjithë, me kapacitete bashkëkohore për trupën gjyqësore dhe stafet mbështetëse dhe hapësira lehtësisht të aksesueshme për përftimin e drejtësisë nga qytetarët.
Kampusi i drejtësisë është sipërmarrja më e sofistikuar arkitekturore dhe inxhinierike e realizuar ndonjëherë. Ngritja e shtëpisë së re të institucioneve të Drejtësisë synon modernizimin e dimensionit fizik dhe hapësinor të institucioneve të drejtësisë shqiptare për të mundësuar vazhdimin e realizimit të objektivave të saj, në kushte dinjitoze, transparente dhe bashkëkohore, të denja për një shtet të drejtë, transparent, eficent dhe thellësisht europian.
Dita e sotme, ku mori pjesë edhe Kryeministri Rama së bashku me ministrin e Drejtësisë Lamallari shërbeu si dëgjesë përmbyllëse me përfaqësuesit e gjyqësorit përpara shpalljes së konkursit.
"Pak a shumë është e qartë panorama e këtij rrugëtimi që kemi vendosur të bëjmë edhe për t’i dhënë Shqipërisë një qendër të re drejtësie, e cila të jetë jo vetëm një qendër që të garantojë të gjitha kushtet dhe standardet për ata që punojnë aty, por edhe të jetë një tjetër vlerë e shtuar për kryeqytetin, për Shqipërinë nga pikëpamja arkitektonike.
Një arkitekt i famshëm thotë ‘’ne formojmë ndërtesat, ndërtesat po na formojnë ne’’ dhe po të kesh parasysh se në ça ndërtesash jemi formuar ne, e kupton dhe pse ne jemi pak si ndërtim gjysmë me leje e gjysmë pa leje, në mënyrën si mendojmë e si funksionojmë. Kështu që është shumë e rëndësishme që të bëjmë diçka që t’i rezistojë kohërave dhe ndërkohë që të adresojë më në fund gjithë këtë problematikë komplekse që ka sistemi në aspektin e kushteve. Për fat të keq, trashëgimia në këtë drejtim është goxha problematike për të gjithë, jo vetëm për sistemin e drejtësisë. Ne sot e gjithë ditën kemi një numër të konsiderueshëm institucionesh të cilat janë qiramarrës në godina dhe hapësira private.
Kemi filluar një proces që do të na çojë drejt zgjidhjes përfundimtare të kësaj problematike, hap pas hapi, me Korporatën Shqiptare të Investimeve, duke marrë të gjitha pronat shtetërore që janë ende në Tiranë apo në vende të tjera, edhe në copa të vogla dhe duke i vënë në dispozicion të këtij interesi publik, gjë që faktikisht ka ndryshuar komplet qasjen e qeverisë. Nuk bëjmë më asnjë shitje apo dorëzim të një copëze në favor të i investitorëve privatë në Tiranë, po përkundrazi kërkojmë që shteti njësoj si pronarët privatë të përfitojnë nga ato dhe në këtë mënyrë, kemi disa projekte qe tanimë janë drejt finalizimit të kontratave për të përfituar në disa vite zyra dhe sipërfaqe për të ushtruar funksionet administrative të pushtetit ekzekutiv.
Ndërkohë që në rastin e Qendrës së re të Drejtësisë unë mendoj që është pak më ndryshe dhe nuk mund dot ta fusim në këtë proces, por duhet ta financojmë drejtpërdrejtë nga buxheti i shtetit. Është pa diskutim financimi më i madh që mund të jetë bërë ndonjëherë për infrastrukturën administrative në Republikën e Shqipërisë, por besojmë shumë që është i duhuri dhe sot, janë krijuar mundësitë dhe janë, sipas këndvështrimit tim, përmbushur edhe një sërë arsyesh për ta bërë këtë, sepse jemi në një proces kur pas një reforme shumë rrënjësore në drejtësi, duhet të vazhdojmë secili dhe secila palë të bëjnë detyrat e veta. Dhe ndërkohë që detyrat tuaja i dini dhe i bëni ju, detyra jonë është që të vazhdojmë ta mbështesim sistemin dhe të vazhdojmë të bëjmë gjithçka që sistemi të funksionojë me kushtet dhe me standardet më të larta, gjë që nuk mund ta themi sot, po të kemi parasysh se na çfarë kushtesh punojnë gjykatësit, në çfarë kushtesh punojnë prokurorët, në çfarë lloj zgëqesh e kthinash zhvillohen proceset, edhe sesa mbrapa është sistemi edhe në aspektin e teknologjisë", u shpreh Rama./L.F-dritare.net