Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Policia bllokon 8 mjete lundruese përgjatë vijës bregdetare! Manovra të rrezikshme për pushuesit!

Policia bllokon 8 mjete lundruese përgjatë vijës bregdetare!

Gjatë një aksioni për sigurinë e vijës bregdetare nga policia kufitare, janë bllokuar 8 mjete lundrimi pasi u janë evidentuar manovra të rrezikshme për jetën e pushuesve.

Pak para nisjes së sezonit turistik, policia kufitare ka shtuar kontrollet intensive ndaj mjeteve lundruese në zonat bregdetare nga Saranda e deri në Shëngjin për të rritur sigurinë detare dhe zbatimin rregullave të lundrimit, nga drejtuesit e mjeteve lundruese.

Së fundmi, përgjatë vijës bregdetare nga Saranda deri në Shëngjin, Policia Kufitare ka bllokuar 8 mjete lundruese, kryesisht mjete lundrimi për argëtim.

Konkretisht në zonën “Shkëmbi i Kavajës” dhe në Dhërmi, u bllokuan 2 mjete lundruese argëtimi “Jet Ski”, drejtuesit e të cilave cenonin sigurinë e pushuesve për shkak se kryenin manovra të rrezikshme, jashtë perimetrit të përcaktuar për këto mjete.

Ndërsa 6 mjete të tjera, 3 “Jet Ski”, 2 gomone dhe 1 Skaf, u bllokuan pasi u konstatuan duke lundruar në cenim të ligjit dhe rregullave të lundrimit.

Ndëshkohen me masa administrative nga 10 mijë dhe 100 mijë lekë të rinj, drejtuesit e tyre.

“Shërbimet e Policisë Kufitare kanë vijuar kontrollet intensive në të gjithë vijën bregdetare të vendit, me qëllim parandalimin e ngjarjeve dhe krimeve detare, si dhe për verifikimin e zbatimit të ligjit dhe rregullave të lundrimit nga shtetasit që përdorin mjete lundruese. Këto kontrolle, në koordinim me shërbimet e drejtorive vendore të Policisë Durrës dhe Vlorë dhe të komisariateve në varësi të tyre, me objektivin kryesor, garantimin e një sezoni turistik të sigurte”, njofton policia./A.ZH-dritare.net