
Nga rimbursimi i barnave onkologjike te përdorimi i IA. Evis Sala: Çfarë do të bëj për shëndetësinë!
Dritare.net
Ministrja e re e Shëndetësisë, Evis Sala, është prezantuar sot zyrtarisht nga Kryeministri Edi Rama në ambientet e QSUT.
Gjatë fjalës së saj, Sala ka renditur disa nga sfidat kryesore që do të përballet gjatë mandatit të saj si ministre dhe ka theksuar prioritetet për përmirësimin e sistemit shëndetësor në Shqipëri.
1. Çështja e rimbursimit të barnave onkologjike
Një nga sfidat kryesore të ministres Sala është zgjidhja e çështjes së rimbursimit të barnave onkologjike. Ajo theksoi se është e papranueshme që barnat onkologjike të mos jenë plotësisht të rimbursuara dhe e konsideron këtë si një prej prioriteteve të saj.
“E palejueshme për ne që barnat onkologjike nuk janë plotësisht të rimbursueshme. Kjo është një sfidë edhe e imja. Është e bëshme,” – tha ministrja.
2. Përmirësimi i strukturës dhe riorganizimi i shërbimeve shëndetësore
Ajo theksoi se përmirësimi i strukturës dhe riorganizimi i shërbimit parësor dhe diagnostikues janë të rëndësishme për të ulur ngarkesën në spitale dhe për të shpëtuar më shumë jetë. Sipas saj, diagnostika e avancuar, veçanërisht me përdorimin e teknologjisë dhe inteligjencës artificiale, është një fushë ku mund të bëhet një hap i madh përpara.
“Shumë kyç është riorganizimi i shërbimit parësor dhe diagnostikues. Do shpëtojë shumë jetë dhe do ulë fluksin në spitale,” – shpjegoi ajo.
3. Përdorimi i Inteligjencës Artificiale
Sala ka theksuar gjithashtu se përdorimi i inteligjencës artificiale (IA) do të jetë një mjet kyç për përmirësimin e diagnostikës në spitalet shqiptare. Ajo beson se AI mund të ndihmojë në dixhitalizimin e të dhënave dhe të ofrojë mundësi për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore.
“Inteligjenca artificiale do që të dhënat të jenë të dixhitalizuara përpara. Në spitale do organizojmë sa më shpejt ekipet për disa procedura që duhen kryer patjetër në spitale,” – shtoi ajo.
4. Rritja e vlerësimit të mjekëve të rinjtë
Ministrja e Shëndetësisë ka shpallur një tjetër prioritet, atë të mbylljes së “rrjedhjes” së mjekëve të rinj dhe përpjekjen për t’i mbajtur ata në vend. Ajo nënvizoi se mjekët e rinj shqiptarë duhet të vlerësohen në Shqipëri, ashtu siç bëhet në vendet e tjera.
“Mjeku i mirë shqiptar duhet të vlerësohet edhe këtu si në vendet e tjera,” – theksoi ajo.
5. Angazhimi si një ekip dhe përballimi i sfidave së bashku
Ministrja Sala e pranoi se përballimi i këtyre sfidave nuk është i lehtë, por ajo është e bindur se me angazhimin dhe bashkëpunimin e të gjithë ekipit do të arrihet suksesi.
“Asnjë gjë nuk bëhet vetëm, prandaj këtij oqeani të madh që i jam futur, do t’i futemi të gjithë bashkë. Është shumë e vështirë, por nuk është aq e vështirë nëse bashkohemi të gjithë,” – përfundoi ajo.
Ministrja e Shëndetësisë shprehu besimin se sfidat që kanë para janë të mundshme dhe se me punë ekipore dhe angazhim të plotë mund të bëhen përmirësime të mëdha në sistemin shëndetësor shqiptar./E.P-dritare.net

















